Zemërn e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj’ i ftoht’ e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë,
Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë!
Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn’ e lumit me valë, q’ ikën me vërtik si plumbi,
E të vinja në gjit tuaj, nj’ ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt’ e ballit t’i xbavitnje, zëmërënë ta dëfrenje,
Gazë, që paçë një herë, prap’ aty ndër ju ta gjenje.
Opopo! kshu pse më vini përpara syve pa pushim?
O ditët’ e djalërisë! o moj kohëz’ e të rit tim!
O flutura krahëshkruar! që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zemrënë time me vethezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija.
Bagëti e bujqësija e dervish Naimit
Përveç kuptimit bukfal që në shumicën e herave has mbi kuptimin e poezive apo poemës së Naimit, besoj që duhet me u pa edhe me dritën e traditës që Naimi ka qenë, pra udhës shpirtnore/mistike që ai ka ndjekë. Pa pretendime, ama personalisht shumë besoj që Naimi ka fsheh simbolika dhe metafora mistike në 'Bagetinë e bujqesinë' e tij. Nji ndër to mundet me qenë 'Shqipëria' që në kontekstin historik asht vatani i Naimit e në të njajtën kohë Naimi asht mërgimtar. Mu e njajta tematike gjindet në shumë shkrime sufiste kur bahet fjalë për jetën e njeriut në toke si nji i huej apo nji mërgimtar që pa nda asht në mall të vatrës së tij primordiale - që në këtë rast mundet me u emnue 'Shqipëri' prej Naimit. Asht interesante që uji në traditën mistike islame (sufizmit apo tesavufit) ka simbolin e diturisë hyjnore, e në këto vargje Naimi sikur ka mall për at vend a për ata shpirtna që e mundësojnë rrjedhën e këtij uji të kulluem, që e shuen etjen që e ka katandisë shpirtin e njeriut... pra, evlijatë apo njerëzit e zgjuem prej gjumit.
"Opopo! kshu pse më vini përpara syve pa pushim?
O ditët’ e djalërisë! o moj kohëz’ e të rit tim!"
Kjo me kujton në ezelin apo gjendjen e kullueme që njeriu ka qenë para ranjës në 'tokë'...
E mbas këtyre vargjeve nis e flet me fluturen, e flutura më kujton vetëm rrëfimin mbi gjendjen e njeriut para 'shkrirjes në dashuninë Hyjnore'. Rrëfimi asht kështu, thuhet që janë tre lloje fluturash, nji që e ka pa flakën e qiriut prej larg e nis e e shpjegon dritën e bukurinë e saj, ama s'ka asnji dije të vërtetë mbi natyrën e flakërimës. Tjetra flutur asht që iu asht afrue flakërimës ama vetëm asht djeg pak - ajo ka shijue dhimtën e flakërimës edhe nis e rrëfen për këtë dhimtë. E flutura e tretë asht ajo qe shkon e digjet në flakërime, e thuhet që vetëm kjo flutur din tamam mbi flakërimën e qiriut, ama ajo s'asht ma që me na tregue se çka përnjimend asht ajo dije a' shije e dashunisë Hyjnore.
E me u kthye tek vargjet e Naimit kur thrret fluturën, mue veçse me kujton në fluturen që ka shijue djegien e tansishme, të vetes së rreme apo egos, në flakërimë. Sikur lyp që edhe zemra e tij me i shkue asaj udhe e në fund me iu kthye vatanit të vet ku bariu, Hyjnia, i fryen fyellit/xhurasë (apo njeriut të zbrazun prej egos) e luen muzikën e Tij/Saj Hyjnore.