Nuk më ndodh që një libër me poezi të më zgjasë kaq shumë ditë për të lexuar, por këtë libër e lexova për 6 ditë. Duket sikur ishte një prognozë, sikur titulli ma ka bërë të qartë se këtë libër s'do të mund ta lexoja më shpejt se 6 ditë, por as më ngadalë dhe për ta përligjur këtë fakt, problemi shëndetësor me gripin dhe kollën e thatë, më ka bërë të tërhiqem nga libri për 3 ditë.
"Dita e gjashtë", libri me poezi i Rexhep Shahut, shpalos një veprimtari të gjerë të poezisë me varg të lirë dhe galeria e personazheve dhe figurave në vargje është e larmishme ku mbizotërojnë ngjyrat, zogjtë, stinët. Vargun e shoqëron melankolia, dëshira e penguar nga pamundësia dhe poeti ia hedh fajin rrethanave, sistemit në të cilin gjallojnë të gjithë. Krijon personifikimin, simbolin, antitezën, alegorinë e të tjera figura stilistike së bashku me krahasimin edhe metaforën që poezia e një poeti të sprovuar si Rexhepi nuk mund të mos ketë kaq shumë gjallëri në varg.
Poeti i shkruan dashurisë me dhimbjen më të madhe, dhimbjen e mungesës dhe mallit që i vjen prej mungesës. Duket sikur dashuria më e madhe është dashuria për lirinë, sakrifica për të cilën s'mund të rrijë në hije, ku poeti ka qenë dëshmitar i saj. E qartë është prova e Luftës në Kosovë. Në mjaft poezi kjo është shoqëruar edhe me ironinë e zezë ku sundimtarët e vegjël i quan zota, por qiellin nuk ua nep atyre për djepa që të rritën në të: poezia "Qielli nuk është djep i zotave".
Poeti nuk është krejt melankolik, ai bën pyetje së cilave nuk do tua marrë përgjigjen, bën thirrje dhe pse thotë se granatat janë duart e të vdekurve, simbolizon dhe pse koha e idhujve është lënë pas qëkur sepse duket sikur shoqëria njerëzore paska nevojë për idhuj edhe pse artificialisht i neverit ata.
Në fund për të mos e zgjatur shumë dhe duke dashur të bëj thirrje që poezia të lexohet sa më shumë, dua ta shoqëroj me një paralelizëm figurativ në këtë poezi që më ka mbetur në mendje:
*** Dimri të ngriu zog i vogël, Ta mori jetën, unë qaj për ty. Fluturimin s'e ngrin dot dimri. Fluturimin s'e vdes njeri.