Lindur në Tiranë, Ardian Vehbiu mbaroi studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe të fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës dhe në vitet 1983-1990 punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke u specializuar në kërkime në fushat e leksikologjisë, semantikës e stilistikës leksikore dhe analizës së tekstit; si dhe dha leksione të leksikologjisë dhe të historisë së gjuhësisë teorike pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të UT. Gjatë këtyre viteve dhe sidomos pas një stazhi studimor njëvjeçar pranë Universitetit “La Sapienza” të Romës (1987-1988), ai botoi artikuj në revista të specializuara për probleme të ndryshme të gjuhës e të letërsisë shqipe fushat e semiotikës formale të tekstit letrar, statistikës gjuhësore dhe diakronisë së formave poetike në letërsinë shqipe. Në fund të vitit 1990, filloi të punojë si lektor i gjuhës shqipe pranë Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Institutit Oriental të Napolit, ku qëndroi deri në fund të vitit 1995; të kësaj periudhe janë një numër i madh artikujsh dhe esesh për probleme të kulturës dhe të sociolinguistikës shqiptare, botuar në revista e në organe të tjera të shtypit në Itali e në Shqipëri; sidomos libri-ese “Zbulimi i Shqipërisë” (“La Scoperta dell’Albania”) shkruar bashkë me Rando Devolen dhe botuar në Milano në 1996 nga Edizioni Paoline. Në shkurt të vitit 1996 Ardian Vehbiu u vendos në New York ku jeton edhe sot e kësaj dite, duke u marrë kryesisht me përkthime dhe konsulenca gjuhësore, por duke mbetur gjithnjë aktiv në fushën e eseistikës e të studimeve kulturologjike e sociologjike, nëpërmjet bashkëpunimit të rregullt shumëvjeçar me shtypin e Tiranës; por edhe e në mënyrë të veçantë nëpërmjet veprimtarisë së tij krijuese dhe organizative në mjediset e komunikimit shqiptar në Internet, si autor kryesor në blogun “Peizazhe të Fjalës”. Gjatë këtyre viteve ka botuar vëllimet me ese të zgjedhura “Zhargonet e Kombit” (Sejko, Elbasan 2004) dhe “Kuzhinat e Kujtesës” (Sejko, Elbasan 2006), esenë e gjatë “Kulla e Sahatit” (K&B, Tiranë 2003), një përmbledhje shkrimesh për çështje të shqipes standard me titullin “Fraktalet e Shqipes” (Excipere, Çabej, Tiranë 2007), librin “Midis zhgënjimit dhe mitit”, kushtuar ballafaqimeve amerikane me realitetin botëror pas 11 shtatorit 1990 (Max, Tiranë, 2007); dhe librin me ese për mediat dhe komunikimit me titull “Folklori i elitave” (Morava, Tiranë 2009). Libri i tij i fundit, “Shqipja totalitare” (Excipere, Çabej, Tiranë 2009), i nderuar me çmimin kombëtar “Gjergj Fishta” si eseja më e mirë për vitin 2009, është një meditim i gjatë për projektimin e marrëdhënieve të pushtetit totalitar në strukturën e ligjërimit publik shqip gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.