A është ky Atdheu që meritojmë? Është pyetja që personazhet e këtij romani do t’ia përsërisin shpesh vetes dhe të tjerëve. Ngjarja nis në kryeqytetin shqiptar, kur një mesnatë, një grua që ia ka kushtuar gjithë jetën kukullave, vendos t’i nxjerrë krijesat e saj në jetën reale, t’u japë frymë, t’i bëjë pjesë të botës së gjallë. Në jetën e re, ato janë një grup grash dhe vajzash – nëna, bashkëshorte, bija, motra, të dashura, dashnore, toy girls – të cilave do t’u duhet të luftojnë ta krijojnë dhe ta ruajnë identitetin, sepse komunitetit ku ato jetojnë, në të shumtën e herës, nuk i intereson të dijë kush janë ato, çfarë ndiejnë, çfarë dëshirojnë dhe çfarë janë të zonjat të bëjnë.
3.5 Më pëlqeu stili i shkrimit: përshkrimi i personazheve, mendimeve dhe sjelljeve te tyre; përshkrimi i situatave dhe lojërave politike; autorja ka paraqitur vëzhgime që fatkeqësisht e pasqyrojnë goxha saktë realitetin dhe mentalitetin e shoqërisë shqiptare. Duke patur parasysh që është shkruar dhjetë vite më parë, është fatkeqësi që vëzhgimet e saj qëndrojnë ende. Më pëlqeu dhe që fundi nuk rezulton i lumtur apo fitimtar për personazhet "e mira" të tregimit, pasi e përforcon kritikën mbi dukuritë shoqërore e politike në Shqipëri.
Megjithatë libri ka disa të meta që më bezdisën. E para, është që redaktimi lë për të dëshiruar. Ka goxha emra, mbiemra, ndajfolje e folje të pazgjedhuara saktë apo në trajtën e gabuar; koha e foljes nuk përkon me vetën në disa raste. E dyta, fjalitë duhet të jenë më konçize. Shumë paragrafë i humbet kuptimi dhe filli i mendimit. Kjo e bën librin pak monoton dhe të lodhshëm pas njëfarë kohe. E treta, dialogjet nuk janë organikë. Shpesh nuk bëjnë sens, dhe ështe e paqartë cili personazh po flet. E fundit, autorja mundohet "shmangë" fjalë të huaja duke përdorur fjalë në shqip që s'i kam hasur kurrë as në dialog, as në shkrim (p.sh., portativ në vend të telefon, kutia e thirrpamjes në vend të kameras, ninëza për sytë, fuaje për korridor, etj.) Por nga ana tjetër përdoren shumë fjalë të huaja, të cilat kanë përkthim fare lehtë në shqip dhe hasen në përditshmëri (p.sh., përdor religjion, azhornohen, buklete, pazëll në vend se të thotë fe, përditësim, fletëpalosje, gjeagjëzë, etj). Bezdisem kur nuk ka konsistencë në shkrim, ndaj i ul disa pikë në vlerësim.