Ky libër është një përpjekje imja për të risjellë, kushedi edhe duke e interpretuar, përfytyrimin e brezit tim për Perëndimin, gjatë viteve më të errëta të regjimit totalitar në Shqipëri, 1960-1980, ose kohës kur kontaktet tona me botën u reduktuan kryesisht në imagjinatë; në kundërvënie me përmbysjen që pasoi.
Imazhi që ne, baby boomers shqiptarë, krijuam për Europën gjatë viteve të luftës së ftohtë dhe të izolimit nuk është thjesht kuriozitet; pse ishte ky imazh që përcaktoi pastaj fatet e qytetarëve të Shqipërisë, pas rënies së regjimit komunist, në fillim të viteve 1990. Deri diku, edhe përpjekjet, keqkuptimet dhe komplekset tona të sotme, përkundrejt Europës dhe Perëndimit në përgjithësi, i kanë rrënjët tek ajo kohë, kur komunikimi ynë me botën përtej ndërmjetësohej nga tabutë politike dhe kulturore, sikurse ndërmjetësohej nga dëshira jonë për t’iu qasur me çdo kusht horizontit dhe sidomos për ta kapërcyer një ditë. Si brez, ne u përkufizuam nga liria që na ishte mohuar dhe u identifikuam me gjakimin tonë për të dalë dikur prej kafazit. Ishim brez i varfër, me fare pak mundësi për të konsumuar në tregun e kulturën bashkëkohore dhe për të parë botën me sy, sa kohë që qiellin na linin ta shihnim veç prej dritareve; por kushedi moria e tabuve na e ndezi flakë imagjinatën, për të na shndërruar në brezin më ëndërrimtar në historinë e shqiptarëve. I çonim jetët të rrepta dhe spartane; shumë prej gjërave që dëshironim, nuk i arrinim dot; dhe shumë prej gjërave që brezi para nesh mezi i kish arritur, nuk i dëshironim më. E megjithatë, në mes të këtij universi tejendanë të skalitur nga JO-të e pushtetit, kultivonim në heshtje dhe shpesh në fshehtësi fantazitë tona sublime, ose një imazh të botës përtej me tone të forta mistike, i cili do të na ngushëllonte edhe kur çdo ngushëllim tjetër do të na kish zhgënjyer.
Para se të bëhej realitet dhe faktor kritik në shndërrimet politike, sociale, ekonomike dhe kulturore në Shqipërinë e viteve 1990, Perëndimi do të kristalizohej kështu, mes nesh, në trajtat e një vizioni pothuajse religjioz dhe do të vepronte në mendjet dhe në shpresat tona ashtu si veç një vizion i atij lloji mund të veprojë.
Lindur në Tiranë, Ardian Vehbiu mbaroi studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe të fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës dhe në vitet 1983-1990 punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke u specializuar në kërkime në fushat e leksikologjisë, semantikës e stilistikës leksikore dhe analizës së tekstit; si dhe dha leksione të leksikologjisë dhe të historisë së gjuhësisë teorike pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të UT. Gjatë këtyre viteve dhe sidomos pas një stazhi studimor njëvjeçar pranë Universitetit “La Sapienza” të Romës (1987-1988), ai botoi artikuj në revista të specializuara për probleme të ndryshme të gjuhës e të letërsisë shqipe fushat e semiotikës formale të tekstit letrar, statistikës gjuhësore dhe diakronisë së formave poetike në letërsinë shqipe. Në fund të vitit 1990, filloi të punojë si lektor i gjuhës shqipe pranë Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Institutit Oriental të Napolit, ku qëndroi deri në fund të vitit 1995; të kësaj periudhe janë një numër i madh artikujsh dhe esesh për probleme të kulturës dhe të sociolinguistikës shqiptare, botuar në revista e në organe të tjera të shtypit në Itali e në Shqipëri; sidomos libri-ese “Zbulimi i Shqipërisë” (“La Scoperta dell’Albania”) shkruar bashkë me Rando Devolen dhe botuar në Milano në 1996 nga Edizioni Paoline. Në shkurt të vitit 1996 Ardian Vehbiu u vendos në New York ku jeton edhe sot e kësaj dite, duke u marrë kryesisht me përkthime dhe konsulenca gjuhësore, por duke mbetur gjithnjë aktiv në fushën e eseistikës e të studimeve kulturologjike e sociologjike, nëpërmjet bashkëpunimit të rregullt shumëvjeçar me shtypin e Tiranës; por edhe e në mënyrë të veçantë nëpërmjet veprimtarisë së tij krijuese dhe organizative në mjediset e komunikimit shqiptar në Internet, si autor kryesor në blogun “Peizazhe të Fjalës”. Gjatë këtyre viteve ka botuar vëllimet me ese të zgjedhura “Zhargonet e Kombit” (Sejko, Elbasan 2004) dhe “Kuzhinat e Kujtesës” (Sejko, Elbasan 2006), esenë e gjatë “Kulla e Sahatit” (K&B, Tiranë 2003), një përmbledhje shkrimesh për çështje të shqipes standard me titullin “Fraktalet e Shqipes” (Excipere, Çabej, Tiranë 2007), librin “Midis zhgënjimit dhe mitit”, kushtuar ballafaqimeve amerikane me realitetin botëror pas 11 shtatorit 1990 (Max, Tiranë, 2007); dhe librin me ese për mediat dhe komunikimit me titull “Folklori i elitave” (Morava, Tiranë 2009). Libri i tij i fundit, “Shqipja totalitare” (Excipere, Çabej, Tiranë 2009), i nderuar me çmimin kombëtar “Gjergj Fishta” si eseja më e mirë për vitin 2009, është një meditim i gjatë për projektimin e marrëdhënieve të pushtetit totalitar në strukturën e ligjërimit publik shqip gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
Është njëfarë miksi me shije të keqe, mes sociologjisë së fandaksur, psikoanalizës së autorëve të ndricuar të përkthyer që nuk kanë qullosur gjë, e keqpërdorimeve, shtrembërmeve dhe keqkuptimeve të koncepteve nga fusha të ndryshme të shkencës që, të përdorura për qëllime gënjeshtare të "kapjes" së lexuesit, do të thoja, mbërrijnë deri në njëfarë tentative newspeak-u.
Nuk hyn tek shijet e mia... ...megjithse duket se tek lexuesi i çoroditur i Shqipërisë me tendenca për të vezhur zhguall intelektuali do të gjejë terren, mbase duke zëvendësuar letërsinë rozë gjatë pasditeve të vetmuara kur nukka energji për të parë telenovelat.