Libri trajton historinë e vërtetë të ndarjes 44 vjeçare të një gruaje (gjyshja e autorit) nga familja e saj në Gjakovë kur ajo zhvendoset në Tiranë me burrin gjatë diktaturës. Ritakimi ndodh më në fund me rënien e komunizmit, por aspak në formën e një happy end-i. Tjetërsimi gradual i individit nga sistemi komunist dhe rrënjosja e kulturës së mbijetesës shpaloset në çdo marrëdhënie deri në nivele çnjerëzore. Paralelisht me dramën personale libri ndërtohet mbi paralelizmin e harresës si sëmundje e individit dhe harresës si strategji kolektive e shoqërisë. Por nëse te individi harresa shpëton nga dhimbja, çfarë funksioni ka ajo te harresa kolektive e komunizmit?
Libri i ri i politologut, intelektualit dhe mikut tim, Ermal Hasimja, e përshkruan jetën e familjes së tij me prejardhje nga Gjakova, e cila pasi zhvendoset pjesërisht në Shqipëri në vitet ’30-të, ndahet në dysh nga muri i hekurt i komunizmit.
Në këtë biografi përmenden shumë anëtarë të familjes së gjerë, por kryesorja është gjyshja e Ermalit—Ana. Ajo është një grua e fuqishme dhe stoike, e cila krahas përpjekjeve titanike për mbijetesën e familjes së saj, e mbanë të gjallë shpresën e takimit me vëllain e saj të vogël të mbetur prapa kufirit.
Ermali e shpjegon se si vetë mbiemri i familjes është i pazakontë. Shqiptarët e merrnin mbiemrin nga babai por në këtë rast e kishin marrë nga një grua me emrin Hasime. Asaj i ishte vrarë burri në një sherr banal dhe, në mungesë të meshkujve të afërt në familje, ajo e kishte marrë hakun vetë me dy alltia. Ashtu si shumë gjakovarë të tjerë, edhe nipërit e Hasimës ishin vendosur në Shqipëri për shkak të kushteve më të volitshme për tregti, ku në vitin 1938 njëri nga ta, Selimi, martohet me Anën.
Me ardhjen e komunizmit, pronat e Selimit dhe Anës konfiskohen dhe aty fillon një periudhë e gjatë vuajtjesh. Pasi komunistët shqiptarë shkëputen nga Jugosllavia e Titos në vitin 1948, kufijtë mbyllen dhe një pjesë e fëmijëve të Anës mbesin në Gjakovë. Ajo i kërkon Selimit që të shkojë e t’i marrë dhe ai detyrohet ta kalojë kufirin ilegalisht. Pas shumë mundimesh, ai i kthen fëmijët në Tiranë. Pasi kthehet, del se dikush e kishte spiunuar për krimin e bashkimit të familjes dhe komunistët e dënojnë atë me 12 vjet burg.
Jeta që përshkruhet në këtë histori është jetë e vuajtjeve, skamjes, urisë e padrejtësisë groteske që komunizmi e solli në Shqipëri. Prona private u ndalua dhe të gjitha liritë u hoqën. Njerëzit luftonin çdo ditë për mbijetesë. Gjërat esenciale mungonin vazhdimisht dhe për to prisnin në radhë nga 4-5 orë edhe fëmijët e vegjël si Ermali, aty ku njerëzit shtyheshin me bërryla e rriheshin për një copë buke. Shteti u jepte familjeve një numër të caktuar të “tollonëve”, një lloj kuponi që u ndante një sasi të kufizuar të produkteve, pavarësisht numrit të anëtarëve. Dhe kjo vlente vetëm për produktet “esenciale”, sepse produktet tjera si gjeldeti bliheshin vetëm për Vit të Ri në një radhë madhështore, nga ku lindi edhe shprehja “të hash si për Vit të Ri”. Këto kushte të tmerrshme i detyruan familjet shqiptare që për herë të parë në histori ta kufizojnë numrin e fëmijëve në dy. Për familjet e “klasës armike” si Hasimja, edhe arsimimi i lartë i fëmijëve ishte i ndaluar.
Duke e përshkruar historinë e familjes në këto kushte të vështira, Ermali e paraqet edhe vuajtjen kolektive të familjeve tjera. Libri është i plotësuar nga këndvështrime të ndryshme të cilat në një botë përplot cinizëm japin edhe shembuj të njerëzores. Shembull i kësaj është njëra nga ngjarjet më të dhimbshme në libër e cila e përshkruan vizitën e Anës dhe fëmijëve në burgun e Selimit. Në kthim e sipër ata ngujohen në rrugë dhe detyrohen ta kalojnë natën aty duke u dridhur nga lagështia dhe të ftohtit, deri sa një burrë i uniformuar kalon pranë dhe e dërgon gruan e tij që t’i strehojë në shtëpinë e tyre. Ky burrë del të jetë njëri nga rojet e burgut.
Në një kulturë që nuk pëlqen të shkruajë e të lexojë, ky libër është një thesar që e ndriçon errësirën e shkaktuar nga harresa jonë kolektive. Por a është kjo harresë e ngjarjeve injorancë apo mekanizëm i përballimit të kujtimeve të hidhura? A do të arrijë Ana ta realizojë dëshirën e zjarrtë për t’u takuar me vëllain në një garë përherë e më të vështirë me moshën dhe pasojat e saj? Gjithçka lidhet me kujtesën në këtë histori shqiptare.
Ky libër më tërhoqi që në momentin e parë nga kopertina. Ndoshta sepse vij nga fusha e historisë, ndjeva menjëherë një lidhje me temën që trajton. E shkuar e pakryer nuk është thjesht një rrëfim personal, por një pasqyrë e dhimbshme e një periudhe që ka lënë plagë të thella në ndërgjegjen kolektive shqiptare. Libri flet për regjimin komunist, një regjim që nuk kurseu askënd as shqiptarët brenda kufijve dhe as vëllezërit tanë kosovarë. Ajo që e bën librin të veçantë është përpjekja për të kuptuar pasojat që rëndojnë mbi individin sepse njeriu vuan edhe kur nuk ka bërë asnjë gabim. Mendoj se kjo periudhë përfaqëson një nga kapitujt më të errët dhe më të dhimbshëm të historisë së Shqipërisë. Një e shkuar që, edhe pse e kaluar në kohë, mbetet e pakryer në kujtesë dhe në ndërgjegje.❤️
E lexova me shum kureshtje dhe brenda një kohe shumë të shkurtër këtë libër që m’u dhurua nga im atë. Situatat absurde të komunizmit janë të shpjeguara me një humor të hollë, që për mendimin tim i jep ngjyrimin artistik kësaj biografie. Pash një paralelizëm te ngjarjet me ata ngjarje të treguara nga At Zef Pllumi te libri i tij <>. Edhe për këtë dëshmi të një kohe të tmerrshme dhe absurde të Shqipërisë, do të thoja që libri duhet të hy te një listë e detyrar librash për te lexuar në Shqipëri, me shpresën/qëllimin e ndërgjegjsimit dhe dënimit moral të kohës komuniste a.k.a kolerës të atij vendi.
Nuk prisja asgje me pak nga Ermal Hasimja. Historia, gjuha e paster, pershkrimi i situatave, karakteret qe ishin dhe reale njekohesisht. Uroj te kemi mundesine te lexojme me shume prej tij!