Ç’të qe e gjitha kjo? Një makth? Një çudi që i është shpifur nga një botë e përkundërt e nxitur nga kushedi se cili hakmarrës. Nuk kishte parë kurrë me parë një ëndërr, madje as kishte ndier turbullirën më të vogël përgjatë gjumit. I kishte qëndruar besnik kësaj rrjedhe të gjërave, pa u dalë në shmang, qoftë edhe pavetëdije. Kjo qe hera e parë që e kapte veten duke menduar kaq gjatë dhe kaq thellë tek përsiatej mbi një ngjarje. Ishte shastisur me veten se si një njeri në Qytetin e Blertë mund të shihte diçka jashtë ekranit dhe jashtë botës reale e sakaq këtë ta bënte në mënyrën më absurde, me sy mbyllur. T’i kishte me të vërtetë sytë e mbyllur? E nëse po, atëherë si u shpërfaqën në sytë e tij ato imazhe të njëpasnjëshme, duke u dhënë pamje pas pamje si në një ekran.
Ishte si një rollercoaster ndjesish. Më pëlqeu larmia e gjuhës, notat e humorit, shkrimi në dy linja, e deri diku edhe në tre, pasi pjesa me shënimet e bllokut dukej si një e tretë. Gjatë librit arrita të krijoj përfytyrime për të gjithë personazhet, dhe të gjithë herë i kam pëlqyer, herë më janë neveritur. Çfarë më pëlqeu shumë ishte shkrimi shumë i drejtpërdrejtë dhe i zhveshur, sepse për mendimin tim do guxim të shkruash aq sinqerisht (guxim të cilin unë s’e kam gjetur ende). Gjëja ime e preferuar ishte mënyra se si u përplas linja e parë me linjën e dytë. Ivanën e dija që do ishte antagoniste, mirëpo nuk e dija ç’do të ndodhte me Arsinin dhe kishin mbetur shumë pak faqe. Kur u zu më pas Kujtimi me Verimin, aty e kuptova si ishin përplasur linjat dhe për mua kjo ishte e ndërtuar dhe e përcjellë në mënyrë madhështore.
Më pëlqeu që shkrimtarit iu bë se e kishte Arsinin bir, një pjesë të vetes, pasi edhe mua më ndodh që të ndiej këtë lloj lidhjeje me personazhët e mi. Më pëlqeu edhe përpjekja për të futur mesazhe të drejtpërdrejta për lexuesin në vetë të dytë ose në pavetore. Gjithashtu mendoj se ishte shumë e bukur mënyra se si ishin përcaktuar të gjitha emërtimet, qoftë për qytetin, fshatin, emrat e shkrimtarëve dhe poetëve nga Kallkani shumë stereotipikë, Kallkani vetë. Isha shumë kureshtare të dija a do të zbulohej zëri i këndshëm po mbeti mister deri në fund, si për të marrë trajtën e interpretimit vetjak të lexuesit. Shyqyr njëherë në librat distopikë fati i personazhit kryesor nuk është fatal.
This entire review has been hidden because of spoilers.