Protagonisti i këtij romani, Ardi, rreth të tridhjetave, nënpunës në drejtorinë e financave të një ministrie, një ditë e sheh veten të pushuar nga puna. Ai është natyrë e mbyllur, me një alergji të çuditshme ndaj mjeteve moderne të komunikimit, si interneti. Por janë alergji të tjera që e kanë kthyer atë në një individ krejt të padëshirueshëm për eprorët. Largimi nga detyra i Ardit, përkon me dy ngjarje: pas një kohe të gjatë, ai ritakon Dorën, një mikeshë të vjetër të gjimnazit, dashuria e tij e parë. Pothuaj njëkohësisht, në dhomën e një hoteli, gjendet i vrarë me një plumb në kokë një përson, ish-koleg dhe shef i tij në ministri.
Midis këtyre dy ngjarjeve, Kongoli na ofron mjeshtërisht një kronikë të trazuar dilemash ekzistenciale të protagonistit. Të dashurive të tij, për t'i ikur një bote cinike, ku krimi nuk ngurron të godasë pa u ndëshkuar. Një pamje e krizës së sotme morale të shoqërisë shqiptare, në fillin e një humori të hidhur nga kreu në fund.