“Dialogë” është botimi në shqip i përmbledhjes dhe transkriptimit të bisedave në mes të dy shkrimtarëve argjentinas Lluis Horhe Borhes (1899-1986) dhe Ernesto Sabato (1911-2011), përgjatë shtatë takimeve në mes të viteve ‘74-‘75, të cilat i organizoi gazetari/shkrimtari bashkëkombas Orlando Barone. Në këto takime Borhesi dhe Sabato diskutuan mbi shumë tema të ndryshme, si letërsia, arti, kultura, gjuha, muzika, kërcimi, filmi, jeta, vdekja, ëndrrat, realiteti, universi, njerëzit, personazhet, arkitektura, gjeografia, etj., me një përjashtim të rëndishëm: politika — e cila temë kishte helmuar shoqërinë e tyre dhe i kishte larguar nga njëri-tjetri për rreth njëzet vite.
Leximi i kësaj përmbledhjeje në një frymë më solli kënaqësi thuajse orgazmike. Ndjeva sikur po përshkoja dhe shihja vende e pejsazhe të natyrës më të bukur ndonjëherë, sa reale aq fantastike. Sikur po udhtoja në kohë e hapësirë duke përjetuar ndjesi jashtëtrupore.
Dy kolosë dhe njohës të disa gjuhëve luanin ping-pong intelektual me njëri-tjetrin. Sa e përmblidhte njëri një mendim, tjetri e vazhdonte me po aq shkathtësi. Njohuritë enciklopedike gati të pakufishme i mundësonin të diskutonin me improvizim të atypëratyshëm.
Është e pamundur të veçohen të gjitha perlat që më lanë mbresa pasi do duhej cituar thuajse i tërë libri (mos vallë Ezopi nuk ishte i dhënë pas fabulave por vetëm i donte kafshët?). Një veçim i tillë do ta bënte librin më pak të këndshëm duke i zbuluar xhevahirët para kohe. Recensioni, prandaj, duhet doemos t’i ruaj fshehtësitë e bukura që presin të zbulohen dhe të përqendrohet në analizën e autorëve dhe stilet e tyre.
Të dy karakterizohen me një idealizëm filozofik të thellë dhe të sinqertë, të zhveshur nga agjendat, përfitimet apo interesant e ngushta momentale apo karrieriste. Në rini, Sabato ishte bërë pjesë e Partisë Komuniste në Argjentinë. Kur ajo e dërgoi në një udhëtim mësimor në Rusi, Sabato i pa krimet e Stalinit dhe e braktisi komunizmin (“Ishte një vend ku ose shëroheshe ose përfundoje në gulag apo spital psikiatrik”). Megjithëkëtë, ai mbeti majtist i pareformuar gjithë jetën.
Në anën tjetër, Borhesi kishte qenë gjithmonë liberal dhe kundërshtar i komunizmit dhe nazismit (anti-Semitizmit). Ai qe po ashtu kritik i Peronit, regjimi i të cilit e përndoqi dhe e turpëroi duke e caktuar inspektor tregu të pulave. Qëndrimet e tija politike i paraqiste me mprehtësinë dhe sharmin e tij letrar (për Luftën e Ishujve Falkland/Malvinas tha se i ngjanë grindjes së dy tullacëve për një krehër). Reputacioni i tij u njollos, megjithatë, kur përkrahu huntën ushtarake që pas grushtshtetit të vitit 1976 zhduku dhe vrau shumë njerëz në Luftën e Pistë.
Në diskutimet mes tyre, krahasimisht, mu duk sikur Sabato qe më analitik dhe intuitiv. Ndoshta në saje të qenit fizikant (i diktoruar) dhe dymbëdhjetë vjet më i ri, kurse Borhesi qe i verbër për mbi njëzet vjet. Në anën tjetër, u befasova nga bestytnia e Sabatos në parashikimet e horoskopit dhe bujaria me fenë, të cilën Borhesi e godiste me sofizëm (“Mjafton një dhimbje dhëmbi që ta mohosh Zotin e plotëfuqishëm” apo “Zoti është aq bujar me njeriun saqë i jep gjithçka, madje edhe ferrin”).
Siç ndodhë zakonisht me mendjet e ndritura, bashkëmendimet ishin më të shpeshta se sa dallimet, të cilat i paraqisnin me vetëpërmbajtje dhe respekt. Shpesh, dallimet ishin veçse forma të ndryshme të paraqitjes së qëndrimit të njejtë.
Kështu nuk kishte qenë gjithmonë. Përveç grindjes politike, ata kishin shkëmbyer edhe thumbime artistike. Një herë kur iu tha Borhesit (shkrimtari më i lexuar) se një publicist po e shiste Sabaton si “rival të Borhesit”, Borhesi u pëgjigj se askush asnjëherë nuk e quajti Borhesin rival të Sabatos. Në këmbim, Sabato tha se, “Ndikimi i Borhesit në veprat e Borhesit duket të jetë i pakalueshëm”.
Baronesit i kishte lindur ideja që t’i mbledh bashkë kur një herë kishte rastisur në një librari ku Borhesi ua nënshkruante lexuesve librat e tij. Aty papritmas u fut Sabato. Përkundër grindjes, ata u përshëndetën miqësisht dhe disa lexues kërkuan dhe morën edhe nënshkrimet e Sabatos. Sot e kësaj dite, koleksionuesit e apasionuar të librave në Argjentinë hulumtojnë si të marrë për të gjetur kopjet e rralla të Alefit të Borhesit që përmbajnë dedikimet autografike të dy shkrimtarëve.
Më bëri përshtypje se të dy ishin djem të nënave të zonja që kishin brumosur personalitetet e tyre. Nëna e Borhesit, që dergjej në shtrat në moshën 98-vjeçare jo shumë larg nga vendtakimet e tyre, kishte përkthyer disa libra dhe kishte shërbyer si muzë për ndërtimin e personazheve dhe kushteve në të cilat Borhesi i vendoste tregimet e tija.
Nëna e Sabatos kishte qenë arbëreshe nga qyteti San Martino di Finita dhe kishte rritur njëmbëdhjetë fëmijë, nga të cilët Ernesti qe i parafundit. Ai e përshkruan atë si një grua jashtëzakonisht të fortë dhe inteligjente që e urrente keqardhjen për vetveten.
Me gjithë erudicionin dhe sharmin letrar të tyre, mbetem i bindur se burimi kryesor i letersisë së mirë është mbi të gjitha sinqeriteti natyralist. Autorët që frymëzohen nga rrethanat e tyre të vërteta (ashtu siç i perceptojnë ato) shkruajnë me më së shumti përmbajtje filozofike dhe emocion njerëzor (në fjalët e Heminguejt, “Ulen dhe gjakosin mbi makinën e shkrimit”). Për këtë arsyje pjesëza që më pëlqeu më së shumti nuk u shkrua as nga Borhesi e as nga Sabato, por nga një i dënuar nga Ushuaia:
Vdekja është një jetë e jetuar
Jeta është vdekje që vjen
Jeta nuk është gjë tjetër
Veçse vdekje që shkëlqen