Adrian Nuri heton ç‘fshihet pas rrëfimit biblik mbi krijimin e njeriut.
Cilët kanë qenë Adami dhe Eva, dy mëkatarët që formuan çiftin e parë njerëzor? Dyshon se dikush tjetër qëndronte pas gjarprit, i cili i shtyu drejt tragjedisë së parë në kozmos: vdekja hyri mes njerëzve dhe qysh atëherë përcaktoi fatin e tyre.
Nisi edhe lufta midis dy sekseve.
Cili ishte fajtori?
Çfarë mëkati kishin bërë ngaqë kërkuan dituri? Mos vallë nuk ka pasur fare mëkat, për rrjedhojë as ndëshkim të ardhur nga Krijuesi? Gjithçka të ketë qenë e stisur?!
Situata ndërlikohet. Adriani ndjen se një pushtet i panjohur e torturon përditë. Nuk ka më dyshime: atë vetë e kanë ndryrë brenda mitit që po heton.
Ndërkaq Qyteti përfshihet në kaos. Asgjë nuk është më në vendin e dikurshëm.
Një mëkat i rëndë ka dobësuar themelet e shoqërisë.
Artan Fuga është anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Diplomuar në filozofi në Universitetin e Tiranës në vitin 1978.
Në vitet 1981 - 1997 ka punuar në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike (më vonë Fakulteti i Shkencave Sociale) si pedagog, përgjegjës i sektorit shkencor të filozofisë dhe të sociologjisë, përgjegjës i katedrës së historisë së filozofisë dhe më pas si përgjegjës i departamentit të filozofisë e sociologjisë.
Doktoruar në Paris. Në periudhen 1998 - 2003 punoi si lektor pranë departamentit të sociologjisë të Universitetit Paris - X - Nanterres në Francë.
Teksa lexon “Ndëshkimin e dytë të Evës” është e lehtë të kuptosh përse ky libër i ka siguruar autorit cmimin si “Autori më i mirë i vitit”. Libri duket se vjen me funksionin ideologjik të një kritike, se si mitet fundamentale janë konstruktuar, ruajtur dhe përdorur si armë për të vendosur “rregull” mbi ndjenjën e fajit, fuqisë dhe bindjes në shoqëritë njerëzore. Artan Fuga e trajton narrativën biblike të Adamit dhe Evës jo si një të vërtëtë religjioze, por si një mekanizëm kulturor; një nga sistemet narrative më të hershme nëpërmjet të cilës shpjegohet vuajtja dhe justifikohet hierarkia. Motivi qëndror i romanit është se njerëzimi nuk u ndëshkua me syrgjynosje nga Edeni, por me internalizimin e fajit. Ky bëhet pra dhe “ndëshkimi i dytë”, një trashëgimi simbolike, që i mëson individët ta perceptojnë dhimbjen, pabarazinë dhe nënshtrimin si pasoja të merituara dhe jo si produkte të sistemeve të ndërtuara prej vetë tyre. Në këtë kuadër, Eva nuk është më thjesht një figurë biblike dhe shndërrohet në një simbol strukturor. Ajo përfaqëson mënyrën se si shoqëritë e zhvendosin përgjegjësinë duke e vendosur fajin mbi një koncept të vetëkrijuar. Romani sugjeron se civilizimi ka nevojë për një fajtor të përhershëm për t’u stabilizuar, dhe historikisht ky rol ka qenë i feminizuar. Eva u dënua duke u shndërruar në një shpjegim të përjetshëm për crregullimin, dëshirën dhe shkeljen. Në këtë lexim, mizogjinia nuk paraqitet si një dështim moral individual, por si një domosdoshmëri mitologjike e rrënjosur në vetë arkitekturën e pushtetit. Fajësimi i Evës i lejon autoritetet fetare, familjare apo politike të paraqiten si korrigjues dhe jo si shtypës. Dimensioni feminist i romanit është, për rrjedhojë, strukturor dhe jo sentimental. Fuga nuk e portretizon Evën as si viktimë të romantizuar, as si heroinë rebele. Ajo është një konstrukt ideologjik, faji simbolik i së cilës legjitimon autoritetin mashkullor, mbikëqyrjen morale dhe kontrollin shoqëror. Feminiteti shndërrohet në sinonim të tundimit, gabimit dhe paqëndrueshmërisë, ndërsa maskuliniteti lidhet me rendin, arsyen dhe gjykimin. Romani zbulon se si kjo ndarje binare mbijeton në institucionet moderne, ku gratë vazhdojnë të mbajnë një barrë disproporcionale të përgjegjësisë morale për krizat shoqërore. Romani në vetvete nuk ofron asnjë interpretim të qëndrueshëm apo përfundimtar të mitit, vetëm lexime konkurruese dhe dyshime. Hetimi i protagonistit mbi origjinën e rrëfimit bën që ai të destabilizojë identitetin e tij duke e izoluar nga shoqëria dhe nga vetvetja. Dija në këtë kontekst nuk është cliruese, por përcarëse, sepse zbulon se ajo që është paraqitur si fat është shpesh një kondicionim ideologjik. Romani minon besimin illuminist te progresi, duke sugjeruar se moderniteti thjesht ka përditësuar gjuhën e miteve të lashta pa e cmontuar logjikën e tyre. Burokracia zëvendëson teologjinë, psikologjia zëvendëson mëkatin dhe normat shoqërore zëvendësojnë ligjin hyjnor; por struktura e fajit mbetet e paprekur. Individët vazhdojnë të vetërregullohen, vetëfajësohen dhe vetëndëshkohen. Nga një prespektivë postmoderne, kjo tregon se pushteti nuk ka nevojë për autoritet të dukshëm pasi ai funksionon përmes narrativave të internalizuara që individët i riprodhojnë vullnetarisht. Miti mbijeton jo pse është i vërtetë, por sepse është i dobishëm. Në thelb, “Ndëshkimi i dytë I Evës” argumenton se ajo që njerëzimi shpesh e pranon si ndëshkim metafizik është në fakt rrëfim historik. Këtu vihet në dyshim faji i trashëguar, determinizmi moral dhe legjitimiteti i autoritetit tashmë të rrënjosur. Ndëshkimi i dytë nuk imponohet nga Zoti; ai mbahet gjallë nga shoqëria, përsëritet përmes gjuhës dhe ruhet nga hezitimi ynë për të vënë në pikëpyetje historitë që justifikojnë vuajtjen tonë.