Historia që do t'ju rrëfej mbase nuk mbart interes kolektiv. Ndoshta nuk ka arsye ta ndaj me lexues, por pastaj i rikthehem dhe ndiej se duhet ta nxjerr nga vetja. Ta shkëpus nga barra emocionale që më shkakton dhe të mbetet një rrëfim mbi një brez e një kohë e cila po zhduket përfundimisht, ashtu si njeriu po ndryshon përfundimisht, vendi ku kemi jetuar dhe krijuar kujtimet tona, qyteti, shteti dhe tërë bota. Shoqëria, shkolla, miqësitë e adoleshencës apo edhe fëmijëria deri diku e lumtur tashmë janë pjesë e së shkuarës dhe çuditem se si errësira arrin të përpijë kaq shumë njerëz, vende, objekte dhe frymë, kaq shpejt. Mua më mungon ajo kohë, bashkë me të edhe Tringa.