What do you think?
Rate this book


140 pages, Paperback
First published September 12, 2013
Të jesh në Shqipëri përkohësisht, gjatëkohësisht a qoftë dykohësisht (sepse ndodh që koka-këtej e koha pra rrjedh atje ku je dhe atje ku s’je), në cilindo rast do të thotë që tu mbash qëndresë tundimeve. Një farë brumi i pjekur e i mbushur me peta të holla që herë dridhet e përdridhet e herë vjen ashtu i mirë-rregulluar është njëri prej syresh. Tjetri e më alarmanti është një farë bujtësi turbullues që ka kapluar (të paktën) krejt rininë e botës perëndimore e që këtu tek ne jo veç turbullon por pushton totalisht shpirtrat, e në veçanti ata të rinjtë: nihilizmi. Nëse atij tundimit të parë edhe mund t’i gjendet një melhem si vetëkontrolli, këtij të dytit – shumë vështirë. E pra, të jesh këtu e të jesh disi në terezi me veten dhe e qendërzuar do të thotë që t’i rrezistosh thirrjes konstante të mosgjësë, të dorëzimit të pasioneve, dëshirave, të së drejtës, të së bukurës më së pari (e cila është zvetënuar pothuasje totalisht e atje ku mund të ishte është zhveshur krejt nga kuptimi)! Do të thotë që dhe në rastet në të cilat nuk ka dorëzim ka tkurrje e tharje të dëshirave që shndërrohen në dëshirkëza, tamam pasione të trishta, në fjalët e Galimbertit: “Pasione të stërvogla e të përgjithshme cikin shpirtrat e tyre të përgjumur, pa i zgjuar. Nuk kanë forcë. Janë kapitur prej një ideali jete që na shitet si ekuilibër, edukatë e mirë, ndërsa në gjumë, konformizën, harrim i vetes. Kurrgjë prej kurajës së lundërtarit…” E kjo është në rastin “më të mirë”, ku edukata e mirë e ekuilibri mbizotërojnë dhe pse shumicës as nuk ia ndjen për edukatën e mirë e aq më pak për ekuilibra qoftë me qytetin e qoftë me natyrën, e aq më pak me “tjetrin” (dhe pse vetë ky koncepti i ekuilibrit dhe i rëndësisë që i jepet në shkencat humane është problematikë më vete e nisur gati dy shekuj më herët të frymëzuar nga zhvillimet në fizikë e shkenca të tjera dhe të pushtuar nga zjarri për të gjetur e ndërtuar “ekuilibra” dokudo, as if u shtroka e shënjoka jeta e Njeriut në ksi ekulibrash me dimensione të numërueshme me gishta a me tensorë – po njs). E pra, të jesh këtu do të thotë të gjesh mënyra e të bësh çmos që të mos u jepesh rrëmihësve të shpirtrave e aq më tepër kur ngjan që dhe i ke përzemër por nuk do të tjetërsohesh nga ta. Kësisoj, siç është e udhës ndonjë soj “Virgjili” u vyejt e dy u gjendën për këtë rast: Galimberti me një botim të 2007-ës dhe Sabato me një botim të 1951-shit. Kjo përpos atyre Virgjilëve që janë shoqërues të përhershëm e që prej dekadash këndojnë:
“Things are going to slide (slide) in all directions
Won't be nothing (won't be nothing), nothing you can measure anymore
The blizzard, the blizzard of the world has crossed the threshold
And it's overturned the order of the soul”
Gjithsesi, të dy librat në shqip. Nga njëra anë mendova ç’më duheshin në shqip kur mundem t’i lexoj ndryshe por ja që falë rastësisë (edhe pse unë urrej t’ia lë gjërat rastësisë por ja shih sa bukur t’i sjell ndonjëherë) kam lexuar këta dy libra jo veç me një këshëri për erudizëm e përudhje mos me u përhumb në kotësi e mos me i leju vetes mendjebrishtësi por me një dëshirë e magjepsje ndaj përkthimit në shqip (si rrallëherë) që ishte sjellë aq bukur, like : Dreq!
E pse këta bashkëlexohen përpos faktit që ashtu mu ndodhën mua? Sepse nga njëra anë ke nevojë (po, po e lexove drejt – ti – ti, ke dëshpërimisht nevojë) për përudhjen e Galimbertit kur shpjegon se si nihilizmi ka pushtu të rinjtë totalisht, janë zbërdhulur pasionet, është sjellë një lloj analfabetizmi emocional (surprise, surprise në epokën e Imazhit – shih: Kunderën dhe plot të tjerë) dhe janë fshirë krejt referencat kuptimore. Në vetë fjalët e tij: “Pak muzikë që shkarkohet veshëve për të fshirë të gjitha fjalët, pak drogë për të lehtësuar dhimbjen apo për të provuar ndonjë emocion, shumë vetmi, tipike për atë lloj individualizmi të skajshëm e të panjohur për brezat e mëparshëm, induktuar nga shterpëzimi i të gjitha lidhjeve afektive dhe nga bindja se nuk mund të shpëtojmë përveçse vetëm, qoftë edhe duke u shtënë – në shkretinë e vlerave, - pas të vetmit gjenerator simbolik të të gjitha vlerave atij që quhet para.” Nuk mund të numëroj reels-at (de)motivuese që tejçojnë këtë marrëzinë e të ecurit përpara [vetëm]. Do it for you! First, be happy by yourself. You go girl! Sure – you go right ahead, po ku do shkosh, dhe pse, për çfarë? Një shkapërthim total i vetes për hir të vetes që nuk gjen kurrëfarë plotësie të vetes e lëre më tutje. Jo më herët se para disa muajsh isha prezente në një tavolinë ku dikush po vajtonte faktin që kish’ dhënë vite të jetës pasi i kishte besuar idealin politik dikujt e tanimë, në moshë, po na (keq)udhëzonte ne të rinjve se si nuk duhet bërë e njëja gjë dhe se si “He doesn’t care”. Vajtimi ishte humbja e idealit (shumë bukur deri këtu, një vajtim që është bërë që nga qyshkuri e do bëhet përherë), por - edhe për më tepër një lloj nevoje për përdëllim ndaj vetes se qysh i paskish besuar filanit. Po si mund të kish’ ndodhur ndryshe? Edhe idealin politik, të vërtetën politike – atë ku subjekteT takohen bashkarisht e zbulojnë një prej kategorive të të vërtetës (shih: Badiou) dikujt a disave duhet me iua besu, pashmangshmërisht, nëse do të provosh të bësh (ndonjë) hajër (ndonjëherë)! E pra Galimberti e terezit pak këtë punë – duke të bërë të mendosh më gjatë e më thellë se sa të thuash “it is what it is”, e kryesisht, si e lexoj unë, drejtuar prindërve, të kuptojnë këtë përhumbje, këtë vuajtje kulturore e jo ekzistenciale (sipas tij). Ama unë do mendoja që më shumë se sa për prindërit ky libër duhet tu drejtohet fillimisht vetë subjekteve që trajton, këtyre që ua besojnë veten një “rastësise pa drejtim dhe orientim” . Më së bukuri, përshkruan vetminë e dalldinë në techno-parties, që dhe pse ia kalohet mirë si thuhet – shumicën i zapton një lloj trishtimi më pas se kur nuk ndihesh e plotësuar e nuk i lejon vetes (a nuk të lejohet kështu kulturalisht) të lidhesh thellësisht me tjetrin, qoftë dhe në një kërcim. Nuk përmbushesh. Në analizën që Galimberti bën, zbulimi i trupit në këto mjedise është – by default – i mbyllur, dhe “jo një trup i hapur që hyn tek bota dhe që është i pushtuar nga bota”. Në fakt, duke e bazuar dhe mbi veprën e Francesco di Sales, ky vallëzim i përngjan jashtëzakonisht konceptualisht vallëzimit të kodifikuar të oborreve ku afëria me tjetrin ekziston por jo kontakti fizik (të paktën jo mirfillazi). Sigurisht ka plot shkaqe që kanë sjellë në këtë pikë shoqërore, ndër to por sigurisht jo në izolim: hiper-racionalizimi dhe teknika (ose, si e quan dhe më bukur e më saktë Sabato – teknolatria).
Po nëse Galimberti rri në të tashmen duke sjellë gjithë historinë që mbart në shpinë e veçanërisht gjuhën, e sidomos të atyre, grekëve, “si të vetmit që patën forcën ta shohin në sy dhembjen” , e duke na e vënë në pah se vetë drogmenët (ata që drogohen – “si derman për dhimbjen që kërkon për veten e saj një derman tjetër”) flasim po aq “greqisht” sa antikët – pra duke ta servirur gjithë historicizmin e vetë të mbështjellë me të tashmen e duke ta treguar si histori prej njeriut të ditur e të vjetër që të fton në bisedë por duke e ditur paraprakisht se ai do të jetë kroniku, Sabato sjell një qasje krejt tjetër. Sabato, në Njerëz dhe Ingranazhe, analitik dhe linear në tregimtarinë e historisë të spjegon drejt-e-drejt pse mbizotërimi i Arsyes dhe Teknolatrisë ka sjellë një krizë shoqërore në një vepër të cilën e vetë-pagëzon si “autobiografi shpirtërore”. Sabato nuk të fton në bisedë, të paktën jo si Galimberti, por padyshim të fton të mendosh. Linearisht mund të shihet evolimi në kohë i humanizmit që solli dehumanizmin, i Rilindjes, i revoltës ndaj Rilindjes, i Romantikëve dhe gjithë të tjerave që erdhën me rradhë, deri tek surealizmi – ku Sabato gjen vlerën pavarësisht përfaqsuesve fals të tij si Dali. Ajo çka e bën Sabaton veçanërisht interesant për mua është fakti se kemi të bëjmë me një fizikan i cili e gjeti shpëtimin tek letërsia, pasi i studioi thellësisht abstraksionet por “sapo e ngrinte kokën nga logaritmet e sinusoidet, ndeshte fytyrat e njerzve” . Me një shkrimtar i cili ka shkruar veç tre novela dhe aq mendon se janë tepër (por plot ese dhe non-fiction). Me një njeri që është i aftë të ushtrojë vazhdimisht dhunë ndaj iluzioneve të veta edhe kur, si thotë vetë ai, “i dëshirojmë gabimet tona”. Me një ish-mbështetës të komunizmit që pasi mendoi që problemet ishin vetëm lokale në Argjentinë kupton që nuk ishte vërtet ashtu. Dhe për më tepër jo me njeriun anti-arsye e anti-teknikë por me atë që do ta sjellë frigoriferin në kushinë e jo ta lëmë në mal të Olimpit. Dhe në mos kjo, botimi në fjalë ka një hyrje fantastike nga Ag Apolloni i cili ditën që merr vesh që Sabato kish’ vdekur mbledh studentë nga manastiri (lexo: universiteti) dhe diskutojnë për të.
Argumentet janë për tu lexuar vetë dhe zgjidhjet që japin. Thënë trashë: Sabato udhëzon për dialogun, njohjen e tjetrit, bashkëbiseduesit, të ngjajshmit: “Fakti themelor është njeriu me njeriun”. Ama, vështirë të dialogosh kur izolohesh, kur tjetrin e objektifikon a kur derdhesh në kolektivizëm kakofonik. Galimberti udhëzon “jo kërkimin e dëshpëruar të kuptimit, sic e thotë dhe tradita judeo-kristiane, por njohjen e asaj që cilido prej nesh është vërtet, pra njohjen e cilësive, tipareve, aftësisë vetjake, ose për ta thënë greqisht, njohjen e daimoni-t ”. Pra zhvillimin e pasioneve e dëshirave dhe vetë-njohjen të cilën vështirë ta bësh kur i rreziston reflektimit e aq më tepër padyshim nuk e bën duke iu dhënë vetë-obsesionit (që dhe promovohet nga qasja e shumicë prej terapistëve për momentin). There’s no end down the rabbit-hole. Shkurt: duhet jo vetëm të njohësh veten por tu jepesh gjërave dhe kjo në komunikim, në dialog të përhershëm me tjetrin. Me atë shpirtin e lundërtarit i cili nuk niset vetëm por e sjell veten, i cili nuk niset për hir të nisjes të-vejë-ku-të-vejë kap-ca-të-kapësh por me qëllime (të cilat dhe mund të ndryshojnë, por që janë aty) për të zhvilluar tamam atë artin e të jetuarit.