Autorja triumfon artistikisht me veprën e saj falë lirisë së egos që ka, jeton diku ku nuk ka smirë, egoizëm, vrasje, kriza, ajo bën jetën nën mbretërinë e pakushte të pasionit, diku në thellësinë e natyrës njerëzore, ku s'ka ideologji as diktaturë, kah nuk ka qarkulluar bibël as kuran.
Ky libër synon të zbulojë poetikisht skutat më të errëta të ndërgjegjes universale dhe të shpirtit njerëzor. Në qendër të harmonisë së trupave qiellorë dhe të trupave njerëzorë vendoset Erosi, prania e të cilit ndihet në çdo varg të librit si amësi dhe si sensualietet femëror.
Të shtatë elementet që përbëjnë jetën janë përdorur si detaje për universin poetik të librit Vrima: Ujë – Tokë – Ajër – Zjarr – Zot – Grua – Burrë. Me art e në mënyrë kontraverse poetja thyen tabutë që lidhen me moralin, gojëdhënat, botëkuptimet filozofike të ekzistencës, duke provokuar deri në ekstrem intelektin dhe ndjesitë e lexuesit.
Edhe në situatat më romantike ajo nuk i përkëdhel ndjenjat, por i trondit ato. I gjithë libri pulson nga ekstaza e dashurisë, që është gjendja e krijimit dhe që poetja e krahason me dhimbjen e lumturinë që ndien femra kur nxjerr në jetë fëmijën.
Rita Petro, e njohur gjithashtu edhe si Rita Filipi (13 mars 1962, Tiranë), autore tekstesh shkollore dhe poete shqiptare.
Në vitin 1980-1984 ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Më 1993-1994 është specializuar në Universitetin e Athinës për Filozofi dhe Kulturë Greke (Philosophical School, Capodistrian University). Që prej vitit 1985 deri në vitin 2000 ka punuar redaktore në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe është aktivizuar në shumë grupe pune për programet, standardet, trajnimet që lidhen me lëndën e gjuhës dhe të letërsisë në shkollë. Në vitin 2000 bashkëthemelon me Latif Ajrullain shtëpinë botuese 'Albas' e njohur vecanërisht për botime shkollore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë si dhe diasporë.
Rita Petro është bashkëautore në tridhjetë e gjashtë tekste shkollore të lëndës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Aktualisht është drejtoreshë e botimeve në 'Albas'. Rita Petro ka qenë pjesëmarrëse në disa festivale poetike brenda dhe jashtë vendit, e përfshirë me krijimtarinë e saj në disa revista letrare dhe antologji të letërsisë së sotme botërore, e përkthyer dhe e botuar në frëngjisht nga Edmond Tupja, Ardian Marashi, në gjermanisht nga Hans. J. Lanksch, në anglisht nga Robert Elsie dhe Ukë Buçpapaj, në rumanisht nga Marius Dobrecsu dhe Luan Topçiu.