I mbetur në hije për dekada të tëra, një nga njerëzit më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, në vitet e fundit të jetës së saj, na vjen në Shqipëri, përmes një libri kujtimesh, me vlera të veçanta për historiografinë shqiptare. Syrja Bej Vlora, pinjoll i familjes së fuqishme Vlora, e cila i ka dhënë Perandorisë Osmane e më pas historisë shqiptare shumë personalitete, që nga vezirët e pashallarët, ishte kushëri i Ismail Qemali. Sipas studiuesve, ai ishte i preferuari i Vjenës për të udhëhequr Shqipërinë drejt pavarësimit dhe në një farë mënyre një lloj rivali politik i Ismail Qemalit.