Një letër dashur(amirës)ie mbi dituridhënënsin Gjerasimin e mësimet e tij të vëjyera e fjalë shpirtërishte në ditën e arsimit.
Shënim: Silva e shkruan recensën si ia do qefi e si i ka hije, me shqipen si e përzgjedh vetë pa kurrfarë besnikërie krahinore, duke mbivendosur dialektet dhe duke ndërlidhur e ndërfutur fjalë a shprehje të huaja si i vjen për mbarë mendimit të dlirë.
“Nuk mund të lë këtë kohë të pëlyqer sot, pa mos folur ca fjalë për punën e kësaj skolie edhe për nevojën e madhe që kemi edhe gjetkë të këtilla ndëpër Shqipëri.”
“Duke ditur se të mosvënit re është një gjë e rrezikshme, le të marrë mësim që të lironjë vetëhen e tij gjithë secili nga skllavëri e errësirës.”
G.Kyrias
Sikundër dhe unë, nuk mund të lë këtë kohë të pëlqyer sot, 7 marsin e 2026, në një kopsht ku lulëzimi dy javor i mangolias është drejt fundit, pa mos folur ca fjalë për të pakfolurin Gjerasim, arsimdashës, dituridashës dhe bukuridashës, i pari që hapi skolinë e vashave në Korçë. Galimberti thotë qartazi e prerazi se mësonjësi duhet të jetë më së pari afashinant, të të pushtojë imagjinatën e rrokë mendjen; ndryshe, bëj tjetër gjë se nuk je për atë punë (shtojcë e kësaj autoreje). Shumë pak, me kokrra, janë të tillë. E Gjerasimi ishte një ndër ta, dhe ndoshta, mes nesh, i pari syresh. Por, që vuan, ende, një damnatio memoriae.
Qe moti 1858* (ose 1861**) që u lind Gjerasimi, në Manastir, në shtëpinë e Qiriazëve që ishte n’atë anë një hapsirë ku bujtën Kristoforidhi, Koto Hoxhi etj. Ndërmori disa udhëtime nëpër Shqipëri, pas shtypjes së lidhjes në Prizrenit, një prej të cilave solli dhe pengmarrjen e tij. I marrë peng, reflekton mbi nevojën e dijes si parakusht për mbrothësinë.
Në mundsh të kalosh pasazhet e tejzgjatura evneriste dhe të shkosh (më në fund) tek vetë shkrimet e Qiriazit, si një lexues i ndershëm d.m.th, që nuk ia lejon vetes të kalojë faqet, do të zbulosh dy dikotomi. E para, që thjeshtëzimi i koncepteve e thjeshtësia e të shkruarit sidomos nën petkun e arkaikes, mund të jetë e lodhshme dhe papërtypshme ose e bukur dhe kthjelluese. Së pari, e harron njeriu sa e thatë dhe e papërtypshme tingëllon dogma e komunizmit shqiptar. Nga ana tjetër thjeshtësia e Gj. që të fton në [vetë]bisedë e jo si mbyllje e saj. Sado i thjeshtëzuar të jetë modeli analitik i G.K, që kur e mendon mirë për atëbotë nuk është dhe aq i thjeshtë, e rëndësishme është që ai e ka një të tillë e që sot duket faqëza që mungon. Një vend pa projekt e pa projekt-bërës, në kuptimin e mirfilltë. Nga 125 faqe libër që supozohet si qëllim kanë mendimin pedagogjik të Gjerasimit, deri më faqe 54 është interpretimi i autorit mbi Gjerasimin. Puna e paprekur dhe e jo-anotuar e Gjerasimit vetë është mes faqeve 55 dhe 91, për tu kthyer sërisht në një commentaire të shokut B.D. Se nuk mjafton veç që të ta çelin figurën si duan por dhe të ta mbyllin. Ti diç nga mesi edhe e thua, por gjithmonë anotohet mirë e bukur. Dikotomia e dytë dhe më e qartë qëndron në lartësimin e figurës së pengmarrësve të Gjerasimit. Më e kulluar se kaq nuk bëhet: “Këta kaçakë qenë trimat e hajdutit Shahin Matraku. Shahin Matraku vetë thonë qe njeri i drejtë dhe qe shtrënguar të dilte firar prej vetë qeverimit të keq turk, thonë që nuk zinte robër vecse njerëz të pasur dhe sundimtarë turq dhe paratë që u merrte penkëve ua ndante fukarenjve.” Tani më thuaj ti mua, i/e dashur lexues se si ndryshon kjo nga neoliberalja “nuk janë tamam të këqinj ata që merren me drogë a korrupsion ose thjesht shfrytëzim , se kshu u bë dhe “bota”, veç po u re në qafë dhe paret i riinvestojnë dhe sjellin zhvillim, sado pak a shumë se, surprise surprise, kështu funksionojnë gjërat.” Ne, si popull, kemi probleme të rënda konceptuale. Shumë të rënda. Që qartazi tejkalojnë sistemet (të paktën ato sipërfaqësore, sistemet socio-ekonomike; se lloje të tjera sistem-projektesh as janë ndërtuar kurrë). Anyway, the point is: there is no honor among thieves! E nëse beson të kundërtën, nuk ke mësuar gjë nga historia.
Por, punë e gjatë ajo, rikthehemi tek Gjerasimi. Sepse kaçakët, got bored si do thoshim ne sot dhe e torturuan Gjerasimin. E madje dhe në pohimin e vetë autorit të hyrjes së tejzgjatur që e konsideronte Matrakun njeri të drejtë, pasi mori (disa nga) të hollat (pasi ai që i dëftoi vendndodhjen e Gjerasimit nuk i dha pjesën e plotë e bëri hotel): “Shahin Matraku ndofta pati frikë mos i vdiste i sëmuri dhe prandaj e la të lirë.” There is no brotherhood between thiefs! Kaq për konsistencën.
Mësime të vëjyera e fjalë shpirtërishte është titull që mbartin, në fakt, predikimet e Gjerasimit (titulli origjinal: Mësime të vëjyerë a fjalë shpirtërishte, të folura në mësonjëtoret shqipe të çupavet ndë Korçë (predikime). Kostandinopojë: A.H. Bojaxhiani, 1896.). Unë nuk e di [ende] ç’ka shkruar autori atje por titulli i merituar i këtij koleksioni shkrimesh është pikërisht “mësime të vëjyera e fjalë shpirtërishte”. Në atë pak hapsirë që i është dhënë vetë tekstit të Gjerasimit në këtë botim, supozohet në fakt të jenë udhëzime pedagogjike, udhëzime për mbarëvajtjen e mbrothësinë e skolive, por udha që shtrohet e tejkalon edhe këtë duke u bërë një farë pedagogjie e shpirtit . I mean, veç lexo:
“Po në daçim të bëjmë punë, duhet të pushtojmë gjithëkush prej nesh dashurinë, se ajo do të na bashkonjë zëmrat edhe do të na bënjë të mos kursejmë as kohë, as mundim, as pasje për të përhapurit e dritës në mëmëdhethin tonë.”
“Në qoftë pra se mundimi edhe kujdesi për dituri e bëjnë njerinë të mbaruar, përse edhe neve të mos përdorim e të shënjtërojmë gjithë kohën tonë për këto gjera që e lartojnë njerinë?”
Unë gjej shumë rrallë një farë "religjioziteti" [në sensin e të lexuarit jo-analitik, ndoshta do të bënte sens të thoshim si thoshim dikur “të kënduarit”, si një formë lirike, para ngadalësimin e individuimit që solli Gutenbergu (shih MacLuhan)] në shkrime dhe shumë pak syresh mund t’i lexoj me atë lloj këshërie. Një i tillë është koleksioni me letra të Rilkes. I dashur, i dijshëm dhe udhëzues njëkohësisht duke mos qenë dogmatik.
“Be patient toward all that is unsolved in your heart and try to love the questions themselves, like locked rooms and like books that are now written in a very foreign tongue. Do not now seek the answers, which cannot be given you because you would not be able to live them. And the point is, to live everything. Live the questions now. Perhaps you will then gradually, without noticing it, live along some distant day into the answer.”
Tani, lexo Gjerasimin:
“Dituria të hollon e larton mëndjen, madhon ngjerimn’ e fatmirësisë dhe hap burime të panumuruara për gëzime. Kishin të drejtë të moçmit që besonin se dituria është m’e vjejtur se pasja. Një njeri i ditur nuk shkon jetën e tij duke sjellë dëm edhe prishje të vetëhes së tij dhe tjerëvet. Qëllon, po shumë rrallë njeriu i ditur t’u sjellë shtrëngim të tjerëvet. Njeriu i ditur, duke çpikur shumë fshehtësira të naturës, duke lehtësuar mjeshtërinë, duke treguar ca udhë për të fituar më tepër edhe më me pak mundim, sjell një gëzim të përgjithshëm ndë mest të njerëzisë.”
Në atëbotë, si në këtë, vyen të adresohen problemet që ndajmë (ankthi që vjen me thyerjen e të parashikueshmes etj) jo veç në formë mekanistike e të rradhitur (merr frymë dhjetë herë dhe rrotullohu) por tamam një edukim i shpirtit (pa u bërë dogmatikë – vështirë). E siç do thosh Gjerasimi po në tjetër kontekst “duket faqëza që uria është e madhe.” Fromm, në librin e tij “Psikoanalizë dhe Religjion”, dëfton qartë dhe herët mekanizimin e të qenurit dhe për pasojë trajtimin e problemeve të të qenurit në forma të thata listash e quick-fixes.
Ndër të tjera, ndërkohë që flasim shumë [ose shumë pak] për ato të pakta gra që kanë mundur e shtyrë arsimimin e edukimin n’atë kohe, figura e Gjerasimit humbet krejt. Në fakt, ishte pikërisht ai që edhe kundër pengesave në familjen e tij mundi të mbështesë të motrën, Sevastinë, të ndiqte studimet e larta. Kësisoj, në vjeshtën e vitit 1888, e para vajzë shqiptare u nis për të marrë arsimin e lartë në kryeqytetin e Turqisë së asokohe. E ai e tejkalon atë familjaren duke hapur më pas bashkë me të motrën, në tetorin e 1891, skolinë e parë të vajzave në Korçë, të njohurën e pastajmë si “Pishtari Ndriçonjës.” (me shumë, shumë peripeci, presione etj) Në fjalët e vetë Gjerasimit:
“E tepër është të them, se për të ndrequrit edhe për të rriturit e një kombi, nevojë e madhe është t’u epet vashavet një dituri e plotë…”
“…janë afro shtatë muaj e gjysmë kur hapmë këtë skoli. Të parën herë kur u hap kishim vetëm tri çupa; po që atëherë e tëhu ardhë edhe të tjera edhe u bënë njëzet e shtatë. Puna ka qenë fort e rëndë, se më të shumtat nga çupat nuk dinin as abenë, përvec kësaj të pakta janë ato që kanë ardhur me rradhë që ndë kryet. Ca s’kanë qenë më shumë se katër muaj ndë skolit, ca më shumë, ca më pak. Megjithë këto, kanë mësuar të këndojnë liruar, edhe të shkruajnë nga pak, gjithësecila pas fuqisë që ka patur. Kanë mësuar: këndim, istori, fjalë të zgjedhura nga Dhjata e Vjetër edhe nga Dhjata e Re, numurëtore, shkronjëtore, dheshkronjë, istori të përgjithshme, kafshëshkronjë, pak nga të gjitha; edhe punë të dorës, të qepur, kanë patur pothuajse për ditë…”
Një nga problemet (sa shumë që ka!) me edukimin sot është një nevojë e madhe me thjeshtëzu çdo gjë, sepse obobo! u iku vëmendja (e gjatë sa një reel) studentëve. Një nga më të urryerat dhe të përsëriturat debate që duhet të bëj në cilëndo punëtori (në inteligjencën artificiale, një term i tmerrshëm për të demarkuar këtë disiplinë, por tjetër muhabet) që organizojmë është ajo e përhershmja “mos e zgjat shumë se nuk dëgjon njeri”. As if, there’s a shortcut to science. Në fakt, nuk e dimë tamam tamam a shqetësohen për mosdurimin e mësimnxënësit a të tyrin. E për më tepër, imagjino të paduruarin të ndërtojë jo veç sisteme teknike por sisteme socio-teknike. Fol pastaj tamam për keqedukim. Ndërkohë, Gjerasimi, një shekull e kusur më parë:
“… po shpërejmë se atë që kanë mësuar e marrën vesh edhe e dinin që ndë krye se kjo barrë, që kemi marrë përsipër, është e rëndë edhe pun’ e vështirë; se do durim të madh edhe mburonjë të fortë…”
E për më tepër për qëllimin e vërtetë e të drejtë të skolisë, që tejkalon funksionet e ngushta të krijimit të krahut të punës (sepse nëse punon në fabrikë e bën punë fizike a nëse punon në neofabrikë me ngjyra të bukura, cool chairs dhe je “knowledge worker”, njësoj është në esencë po nuk është ajo esenca e të arsimuarit) e për pasojë zhvillimin e [vetëm] injorantëve funksionalë.
“Mbase edhe shumë nga këta që kanë mbaruar skolitë vallë e kanë kupëtuar qëllimn’ e mësimit? Ca venë ndë skolit se kështu bëjnë dhe të tjerët, të tjerë venë në skoli se mësimi është i mirë. Ca e bëjnë këtë se s’kanë tjatër punë; ca të tjerë mësohen se, ndë fitofshin dituri, do të jenë të lëvduar nga njerëzit. Janë edhe shumë të tjerë, që venë ndë skolit për të gjetur një udhë fitimi më të lehtë, edhe për të siguruar të pastajmen e tyre, që është mendim i mirë; po ndë këtë s’qëndron qëllim’ i lartër për njerinë ndë të fituarit dituri.”
P.S: I falem nderit Irisit që rastësisht në një natë libraleximi solli fragmente nga ky libër që më pas më shtynë ta kërkoja në çdo zgëqe librash nëpër Tiranë gjer sa e gjeta. Në të kundërt, një libri që në kopertinë të dëfton që është nga të gjashtëdhjetat e Shqipërisë e që do të të flasë për pedagogjinë (lexo: propagandën) s'do ia kisha hedhur sytë.