Edi Rama's Blog
February 28, 2013
Kupola e Policisë, organizata më e rrezikshme kriminale
Në rrugën e rrënimit të vazhdueshëm shqiptarët po përballen këto ditë, me një përmasë të re të panjohur deri më sot të pasigurisë. Nga njëra anë pasiguria është shfaqur si kërcënim direkt për jetën nga ushqimi. Dhe nga ana tjetër, si kërcënim direkt për jetën nga kupola e Policisë së Shtetit. Shqiptarët janë prej kohësh të tradhtuar nga qeveria e tyre.
Çdo vit e më të papunë.
Më të pafuqishëm përpara çmimeve që rriten përditë.
Pa shërbime publike sipas nevojës, po vetëm sipas xhepit.
Pa shtet që t’i mbrojë dhe padrejtësi që të garantojë liritë dhe të drejtat e tyre.
Por qoftë historia e ushqimeve me substanca të dëmshme për shëndetin, e qumështit toksik dhe e mishit të rritur me hormone të rrezikshme, qoftë historia e kupolës së Policisë së Shtetit që është kthyer në organizatën më të rrezikshme kriminale të vendit, janë dy anët e të njëjtës medalje.
Është medalja e një tradhtie që po merr përmasa të paimagjinueshme: Tradhtia e qeverisë ndaj misionit kushtetues, ligjit, institucioneve, programit të vet padyshim dhe vetë popullit, i cili e paguan përditë në kurriz çmimin e lartë të kësaj tradhtie.
Ja pse kjo qeveri nuk siguron dot më jetën e qytetarëve. Nuk garanton dot më asnjë liri e të drejtë të tyre. Përkundrazi luan përditë me jetën e qytetarëve dhe e ka braktisur qytetarin e këtij vendi m’u në mes të rrugës.
Qeveria nuk siguron dot as ushqimet që familjet konsumojnë apo fëmijët marrin në çerdhe e kopshte. Përkundrazi, luan me jetën e familjeve e të fëmijëve, duke dhënë deklarata qetësuese me përmbajtje të gënjeshtërt si në rastin skandaloz të qumështit toksik.
Qeveria nuk siguron dot as jetën e policëve. Përkundrazi luan me jetën e policëve. Dihet botërisht se kupola e Policisë së Shtetit merr para për emërime në të gjitha nivelet e policisë. Por këtë herë ka të dhëna të tmerrshme se merren para edhe për shkarkime komisarësh, që flaken në rrugë dhe lihen në pritën e krimit.
Media shkruan se është paguar lartë në kupolë, për të larguar komisarin e sapo vrarë. Historia e fotografisë së djeshme është rrënqethëse. Jo vetë fotografia, që mund të ishte krejt e rastësishme si shumë fotografi në këtë botë. Por historia që pasoi me alibinë e turpshme të zv.Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë e me radhë të të tjerëve, është një kulmim i degjenerimit të shtetit ku realisht nuk gjenden më fjalë.
E pra, alibia e djeshme e Kuliçit famëkeq dhe deklarata e mëpastajme e Burgajt hileqar janë mishërimi i tradhtisë ndaj Policisë së Shtetit. Dorëheqja nga hetimi i të fotografuarve me njeriun e akuzuar për vrasjen e komisarit është një mënyrë shumë e padenjë për të fshehur të vërtetën. Atë të vërtetë që në fakt duket haptaz nga alibia vetdemaskuese e zëvendësdrejtorit për atë fotografi dhe nga deklarata vetdiskretituese e drejtorit për gjithë ndodhinë, ndërsa heshtja e Ministrit të Brendshëm është kapaku i një historie që duhet të vazhdojë me dorëheqjen e të treve minimalisht. Edhe të ministrit, edhe të drejtorit të përgjithshëm, edhe të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm.
Kjo trio është mallkimi i sotëm i Policisë së Shtetit. Kjo trio është fytyra e tradhtisë së përditshme që i bëhet Policisë së Shtetit. Kjo trio është dora e rrënimit të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit. Kjo trio është truri i korrupsionit dhe i kontrabandës që e ka kalbur krejt Policinë e Shtetit. Kjo trio është veshi që merr fjalë nga krimi dhe goja që i çon fjalë krimit. Sigurisht që nuk kam asnjë iluzion dhe nuk duhet të ketë asnjë iluzion: kjo tradhti rrënuese ka bekimin dhe dijeninë e kryeministrit, i cili pasi u vra komisari bëri një deklaratë për teknologjinë 3G! Ndërsa sot priteni me siguri të akuzojë opozitën për kushedi se çfarë të zezash.
Ja pse komisarët këputen rrugëve nga plumbat e krimit dhe asgjë nuk ndryshon. Jeta vazhdon njësoj si më parë, deri në vrasjen e komisarit të radhës. Ja pse është thyer ekuilibri në favor të krimit në fushën e betejës se shtetit me krimin, ku shteti është tërhequr dhe krimi ka marrë yrysh në bashkëpunim me kupolën drejtuese të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit. Ja pse krimi e ka zënë Shqipërinë për fyti dhe ja pse kur PD erdhi në qeveri evidentoheshin 8250 krime në vit, ndërsa në vitin 2012 u evidentuan 20 688 krime në vit. Ja pse diferenca në 7 vjet qeverisje është 12 438 krime më shumë, që do të thotë se vit pas viti progresioni i rritjes së krimit është 1500 krime çdo vit më shumë. Ja pse vetëm viti 2012 në raport me vitin 2011 evidentoi 3029 vepra penale më shumë.
Ja pse Shqipëria e sotme ka koefiçentin më të lartë të vrasjeve për 100 mijë banorë në Europë, edhe në rajon. Ja pse Shqipëria e sotme është vendi europian me numrin më të madh të vdekjeve në rrugë, në një kohë që ka numrin më të vogël të makinave për banorë në Europë. Kemi katër herë më pak makina për banorë se sa në çdo vend Europian dhe kemi katër herë më shumë vdekje, plagosje, dëmtime në rrugë se sa në çdo vend të Europës. Katër herë.
Ja pse sot është dita për të thënë: O shqiptar që ende shkoni symbyllaz si tifozë besnikë ndaj partisë në pushtet, hapni sytë se kjo nuk është lojë me top futbolli ditën e diel, po një lojë me jetën që po bëhet përditë dhe më e pasigurt për të gjithë pa dallim, kudo, në çdo pjesë të territorit. Sepse partia në pushtet ka tradhtuar, jo ju që i shkoni pas symbyllaz, por ka tradhtuar dhe vetveten. Dhe qeveria flet përditë për ju, po bën çdo orë dhe minutë vetëm punën e vet.
February 23, 2013
Një arritje historike për PS, falë kontributit të të gjithëve
Asnjëherë nuk e kisha parafytyruar dot këtë mbrëmje. Sepse asnjëherë nuk e kisha menduar që kjo ditë mund të vinte, të paktën jo pa kaluar kushedi se sa vite akoma. Faleminderit që jeni të gjithë këtu për ta ndarë së bashku kremtimin e një ngjarjeje që për partinë tonë është historike.
Sigurisht nuk është historike pse u zgjodha unë personalisht zëvendëspresident i internacionales socialiste, por sepse Internacionalja Socialiste zgjodhi si zëvendëspresident të saj kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ky zhvillim shkon përtej çdo merite të mundshme personale. Është diçka e jashtëzakonshme për familjen e socialistëve dhe progresistëve shqiptarë që ndodh në një moment të pazakonshëm për vendin tonë. Prandaj unë sot jam vërtet i lumtur që kam mundësinë ta ndaj me ju të gjithë domethënien e posaçme të kësaj ngjarjeje. Ta ndaj me drejtuesit me përfaqësuesit më të lartë të PS-së, autoritete të shtetit dhe figura kyçe të partisë më parë, apo anëtarë të kryesisë, deputetë dhe qeveritarë vendor sot, të cilëve dua t’u them me gjithë zemër sonte se çdo njëri prej jush ka meritën e vet të pazëvendësueshme në këtë arritje të përbashkët. T’a ndaj me njerëzit e medias, drejtues televizionesh dhe gazetash, jo domosdoshmërish të gjithë në opozitë me qeverinë e sotme, apo edhe analistë dhe editorialistë të pavarur, të cilëve do t’u them sinqerisht sonte se kjo parti që kaq shumë u vlerësua me zgjedhjen time në Presidencën e Internacionales Socialiste ka mbërritur këtu edhe falë jush. Jo sepse e keni lëvduar, por sepse e keni ndihmuar me pasqyrimet informative, analizat, apo qëndrimet kritike. Ndërkohë që le ta themi keni bërë jo pak për ta mbrojtur këtë parti edhe nga unë. Kushedi pse ju jam dukur gjithmonë një rrezik për t’u paralajmëruar publikisht.
Një merak që nuk rri dot pa e thënë. Prania këtu e disave më pranë qeverisë nuk ka të bëjë me legjendën urbane të paradhomës së kryeministrit pas 23 qershorit. Në këto vite politika ka gabuar, qeveria shumë dhe opozita pak, por prapë se prapë edhe ne kemi gabuar, duke hapur mes partive dhe mediave hendeqe të panatyrshme për një mjedis demokratik. Nuk ka dyshim se financimi preferencial i medias për qëllimet të politikës në pushtet është një anomali që nuk ka lindur 8 vjet më parë, por që në këto vite është rënduar dhe ka ndikuar gjithnjë e më keq mbi median në Shqipëri. Edhe asgjësimi i shërbimit publik në Tv dhe radio ka luajtur rolin e vet shumë negativ në përkeqësimin e gjendjes, por nuk ka qenë pa ndikimin e vet edhe llogorizimi i dy partive të mëdha me qasjet përjashtuese me një audiencë a një tjetër në një periudhë kohe relativisht të zgjatur. Por përsa i takon PS-së dhe mua si kryetar i opozitës sot, apo i qeverisë nesër, ai llogorizim i përket të shkuarës dhe nuk do të përsëritet për asnjë arsye në të ardhmen. Ashtu si kundër unë kam dhe ne kemi të gjithë vullnetin, jo vetëm për ta hequr pas 23 qershorit korsinë preferenciale për media të veçanta gjatë rrugëtimit tonë qeverisës, por edhe për të promovuar lirinë e informimit dhe për të garantuar rregulla loje të njëllojta për të gjithë operatorët mediatikë në treg.
Qëllimi im është shumë i qartë: Çdo dokument që prodhon qeverisja duhet të jetë i hapur për publikun dhe ju garantoj se në 23 qershor do të mbarojë epoka e shkresave që sot e gjithë ditën i mbahen të fshehura jo vetëm publikut, por deri dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Mbase kjo do ta bëjë më pak të çmuar në këtë drejtim kontributin e gazetarëve të “Fiksit”, që sot rrinë me ditë prapa dyerve dhe prapa ofiqarëve të shtetit për të marrë një dokument zyrtar. Po unë besoj se duke i lehtësuar Filipit gjetjen e dokumenteve përmes një kompjuteri nga zyra do të kemi më shumë kamera të fshehta në rrugën e Rilindjes.
Të cilëve dua t’u them sot se ju jemi mirënjohës për gjithshka kanë thënë dhe kanë bërë në këto vite, në mbështetje të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.
10 vjet më parë Partia Socialiste u pranua në Internacionalen Socialiste pas një dekade transformimesh që e nxorën PS-në nga qerthulli i paragjykimeve për të shkuarën.
Partia Socialiste mbërriti në fundvitet ‘90 si një forcë e besuar dhe e besueshme jo vetëm për shqiptarët por edhe për botën demokratike. Ju e dini që unë mbroj mendimin se me historinë duhet të merren historianët. Por duke qenë se sot jemi këtu për të kremtuar një arritje historike për familjen tonë politike më duket e padrejtë që kur flas për periudhën kur Partia Socialiste u bë gati për të hyrë në Internacionalen Socialiste të shkoj më tutje pa u ndalur edhe një çast më shumë. Dua të ndalem për të respektuar kontributin e protagonistëve të asaj kohe, të atyre që janë sot këtu me ne, besnikë të kësaj familjeje të madhe pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe problemeve që në vite janë shfaqur si pjesë e natyrshme e bashkëjetesës sonë demokratike; Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Namik Dokle, Gramoz Ruci, Arta Dade, Ethem Ruka, Pandeli Majko dhe të tjerë. Por dua sigurisht të mos iki pa përmendur edhe ata që zgjodhën për arsye të tyre rrugë të tjera nga rruga e Partisë Socialiste, po që në atë kohë patën kontributin e tyre të spikatur, Fatos Nanon dhe Ilir Metën.
Lejomëni që t’ju them sot se si zëvendës president i Internacionales Socialiste unë kam një ambicie. Ambicien që asnjë shqiptar që voton majtas, pavarësisht se për cilën sigël partie të mos mbetet pa u përfaqësuar në Internacionalen Socialiste. Unë besoj që ky është një interes strategjik për të majtën shqiptare dhe unë çdo bëj gjithshka për ta realizuar këtë dhe kam bindjen më shumë herët se sa vonë, ky interes strategjik do të përmbushet në të mirën e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Dhe sigurisht është shumë e bukur që pas një dhjetëvjeçari anëtarësie në Internacionale, Partia Socialiste çon në Presidencën e Internacionales Kryetarin e saj. Por edhe këtu ka shumë njerëz për të falënderuar ata që janë sot në sallë dhe ata që nuk janë në sallë, vetëm se do më lejoni të zbatoj një këshillë të kahershme të Gramozit të mos lavdëroj njeri për mos t’i mbetur hatri dikujt tjetër.
Por megjithatë besoj që një falënderim shumë i posaçëm u shkon të gjithë atyre që erdhën në Partinë Socialiste bashkë me mua, erdhën në Partinë Socialiste pas meje ku sot e kanë bërë PS një hapësirë ku janë në harmoni gjenerata, eksperienca, mosha prejardhje dhe realisht një mjedis demokratisht i shëndetshëm, është një mjedis ku ka gjithmonë një mundësi për të gjithë.
Më lejoni që në emrin e të gjithëve ju ti shpreh ndjenjat më të thella të miqësisë dhe të respektit sekretarit të përgjithshëm të Internacionales, Luis Ajalës i cili realisht ka qenë pranë nesh në momentet më të vështira, ndryshe nga shumë të tjerë që kanë preferuar ta rrotullojnë gjuhën duke folur për situatën në Shqipëri ka qenë realisht i drejtpërdrejtë në adresimin e problemit themelor të këtij vendi, që është mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Transformimi i vazhdueshëm i Partisë Socialiste, përfshirja në rrugën e PS e shumë nocioneve të të reja duke filluar nga votimi një anëtar një votë për Kryetarin e partisë duke vazhduar me kuotat për barazinë gjinore, duke shkuar më tutje tek rritja shumë e ndjeshme e anëtarësisë dhe patjetër e gjithë përpjekja jonë opozitare e këtyre viteve të fundit, një rezistencë pa të cilën sot ne nuk do të ishim kaq pranë fitores dhe shqiptarët nuk do të ishin kaq shumë të vetëdijshëm se rruga e ndryshimit është rruga e lirisë së zgjedhjeve janë arsyet pse sot Partia Socialiste ka Kryetarin në presidencën e Internacionales Socialiste. Të gjitha këto arsye e bëjnë këtë arritje tërësisht të përbashkët. Nuk është diçka që e them për modesti po diçka që e ndjej thellësisht. Nuk do të ishte e mundur që të ndodhte kjo ngjarje e jashtëzakonshme që ka ndodhur për të gjithë ne në rast se nuk dot ishte secili prej jush këtu.
Në fund dhe jo për nga rëndësia një falënderim edhe për të gjitha aleatët tanë, sepse unë besoj se edhe ata kanë një kontribut të posaçëm për këtë vlerësim që i është bërë Partisë Socialiste si një forcë e rezistencës opozitare po dhe si një forcë e alternative qeverisëse. Madje këtu ka kontribut edhe vetë avokat Ngjela që metë majtën e lidh vetëm çështja e demokracisë dhe jo çështja e ekonomisë. Lejomëni dhe një dobësi në fund, meqë jemi në një mbrëmje mes miqsh që ti njoh kontributin e posaçëm gruas sime, Lindës, për kontributin në drejtpeshimin tim, këtë mund ta dëshmojnë të gjithë ata që më kanë njohur më parë dhe më ndjekin edhe më pas.
Fjala e Kryetarit Edi Rama gjatë darkës për zgjedhjen e tij si zëvendëspresident i Internacionales Socialiste
23 Shkurt 2013
February 22, 2013
Programi më reformist që një parti ka pasur ndonjëherë
Në çfarë Shqipërie duam të jetojmë?
Si duam të jetë vendi ynë pas dhjetë vjetësh?
Pas 20 vjetësh?
Pas 30 vjetësh?
Cila është zgjedhja që duhet të bëjnë shqiptarët në 23 qershorin që po afron?
Përtej ngjyrës së fanella politike dhe emocioneve të tifozëve, ku ndryshojnë në të vërtetë vizionet, idetë, rrugët e të tjerëve me rrugën e Partisë Socialiste të Shqipërinë?
Pse Shqipëria sot shkon në drejtimin të gabuar?
Çfarë propozojmë ne, socialistët dhe progresistët, për kthimin e vendit në drejtimin duhur?
Çfarë do të bëjmë ne për ta zmbrapsur krimin që ka vënë poshtë shtetin dhe kallur pasigurinë tek njerëzit e zakonshëm të këtij vendi?
Si do ta ndalim ne rritjen e mëtejshme të papunësisë?
A mundet Shqipëria të rritet ekonomikisht dhe të mos rrënohet shoqërisht me më shumë se 1 milionë të papunë që shtohen çdo vit?
Pse ne socialistët nuk e pranojmë taksën e sheshtë?
Çfarë do të thotë për ne që më pak se 5% e njerëzve të zotërojnë më shumë se gjysmën e parave të depozituar të këtij vendi?
Si do ta transformojmë sistemin e taksave nga një sistem që shkatërron të varfrit dhe mbyt shtresën e mesme në një sistem të ndershëm taksimi?
Po taksat për 95% të shqiptarëve si do t’i ulim?
Pse kompanitë e biznesit të madh duhet të votojnë Partinë Socialiste në 23 qershor?
Cili do të jetë statusi i ri social i sipërmarrësit falë politikës sonë të re mbi sipërmarrjen?
A do ta vendosim ne drejtësinë dhe rendin ligjor apo kultura e pandëshkueshmërisë do të bëjë ligjin përgjithmonë në Shqipëri?
Ku po shkon gjenerata e re?
Si po shpërdorohen paratë e prindërve për shkollimin e fëmijëve brenda një sistemi arsimor që i ngjan çdo vit e më shumë një skeme piramidale?
Çfarë do të ndryshojë për mësuesit? Po për prindërit?
Si do të bashkëpunojnë qeveria jonë me komunitetin për të rritur cilësinë e shkollimit të fëmijëve?
Pse sukseset në botën dixhitale që propagandon qeveria janë pa impakt në cilësinë e qeverisjes dhe në cilësinë e jetës së njerëzve të zakonshëm?
Si do ta mbyllim ne epokën e fabrikave të diplomave pa vlerë për të hyrë në epokën e universiteteve të akredituara në bazë të konkurrencës dhe të meritës, qofshin publike qofshin private?
Po epokën e shëndetit si mall që blihet si do ta mbyllim për të çelur një epokë të re, atë të shëndetit si e mirë publike që ofrohet sipas nevojës?
Pse ka dështuar skema aktuale e financimit të shëndetësisë?
Si e zgjidh skema jonë e re problemin e të papunëve që sot, duke qenë të pasiguruar nuk mund të marrin dot shërbimin shëndetësor pa paguar disa herë më shumë se pak vite më parë?
Po për dritat dhe ujin çfarë do bëhet më në fund në këtë vend?
Cila është qasja jonë për sigurinë energjetike të vendit dhe për mënyrën e shfrytëzimit të burimeve nëntokësore të Shqipërisë?
A mund të ketë një Shqipëri të zhvilluar me një fshat të braktisur në mëshirën e fatit?
Çfarë do të bëjmë ne për ushqimin e shqiptarëve?
Si do ta garantojmë ujitje dhe kullimin e tokës bujqësore në të gjithë territorin brenda katër vjetësh? Si do të mundësojmë ne daljen e prodhimit në treg? Si do ta rajonalizojmë prodhimin tonë bujqësor dhe blegtoral në bashkëpunim me Kosovën? Po kostot e prodhimit si do t’i ulim dhe si do t’i shpëtojmë bujqit e fermerët shqiptarë nga konkurrenca e pandershme me sfond politik? Pse jemi ne Partia Socialiste, të vetmit që mund ta garantojmë mbrojtjen e territorit, të tokës, të plazheve, pyjeve, lumenjve, trashëgimisë sonë natyrore e kulturore?
Si do ta pastrojmë Shqipërinë nga plehrat dhe si do ta zhbëjmë menjëherë ligjin për importin e plehrave?
Si do t’u japim atyre që punojnë tokën, titujt e pronësisë? Si do ta trajtojmë çështjen e pronës me pronarët ende të pakompesuar aty ku prona është bërë e pakthyeshme? Po të përndjekurit pse do të gjejnë më në fund te Partia Socialiste partnerin që u ka munguar 20 vjet rresht në krahun tjetër? Si do të ndryshojë marrëdhënia e personave me aftësi të kufizuar, paraplegjikë e tetraplegjikë me qeverinë e këtij vendi pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit?
Po vetë marrëdhënia e kufizuar e Shqipërisë së sotme zyrtare me botën demokratike dhe me rajonin si do të ngrihet në nivelet e një bashkëpunimi të panjohur më parë?
Vizioni ynë për zhvillim kombëtar të shqiptarëve kudo ku jetojnë; për bashkëpunimin mes dy shteteve shqiptare në rajon; për çuarjen përpara të axhendës së modernizimit infrastrukturor e shoqëror të rajonit përmes një niveli të ri rajonal marrëdhëniesh ndërshtetërore.
Cili është projekti ynë për një marrëveshje rajonale për mbrojtjen e të gjitha minoriteteve?
Si e shohim ne të ardhmen e shqiptarëve si komb në rrugën e Bashkimit Europian dhe çfarë do të bëj qeveria jonë për forcimin e rolit integrues të shqiptarëve në Maqedoni e Mal të Zi, apo garantimin e lirive e të drejtave të shqiptarëve në luginën e Preshevës?
Pse ne besojmë se politika jonë e jashtme është një trashëgimi e vyer e këtyre viteve që s’duhet cenuar në asnjë mënyrë nga harbimet nacionaliste?
Si do ta pasurojmë ne këtë trashëgimi duke zgjeruar rrugët e bashkëpunimit me miqtë e aleatët strategjikë drejt anëtarësimit të plotë në familjen euroatlantike si dhe me partnerët e mëdhenj potencialë ekonomikë të Shqipërisë në Europë dhe në Botë?
Sot dhe nesër ne do të jemi këtu për t’u marrë me këto çështje, për t’u dhënë përgjigje shumë pyetjeve, për të bërë një paraqitje të përmbledhur të një pune të jashtëzakonshme që po i afrohet fundit, të gjithë atyre shqiptarëve që sot duan nga PS përgjigjen e fundit për të bërë zgjedhjen e duhur në zgjedhjet e 23 qershorit.
Unë jam krenar që sot mund të them se në këto zgjedhje do të udhëheq partinë që do t’i paraqesë publikut programin më reformist dhe më të detajuar që një parti politike ka pasur ndonjëherë në prag zgjedhjesh në të gjitha vitet e pluralizmit në Shqipëri.
Kjo e këtyre ditëve nuk është fjala jonë e fundit për programin. Këto dy ditë e në vijim ne do të mbledhim pyetjen e fundit, sugjerime e fundit, kritika e fundit, ide e reja që mund të lindin edhe në fund. Pastaj do të vazhdojmë në çdo rajon me detajimin e mëtejshëm të programit sipas vendeve ku do të shkojmë dhe nevojave të çdo qarku në çdo komuniteti që do të takojmë.
Njerëzit thonë se në politikanët merremi shumë me imazhin. Në fakt duhet të merremi. Nëse njerëzit s’na pëlqejnë të folurën, sjelljen, dukjen, rrezikojmë që të mos na dëgjojnë fare se çfarë themi. Por në fakt ajo që vërtet vlen është përmbajtja e atyre që themi kur komunikojmë me njerëzit.
Ja pse kjo konferencë kombëtare është kaq shumë e rëndësishme.
Tregon, besoj unë, se sa seriozisht ne i marrim njerëzit, se sa përgjegjësi ne ndjejmë ndaj publikut, të cilit duam t’i përcjellim sa më të plotë pamjen e asaj që duam të jemi dhe duam të bëjmë si qeverisjen e këtij vendi pas 23 qershorit.
Ne duam që njerëzit ta shohin, ta prekin, ta ndjejnë me sytë e parafytyrimit dhe me ndjeshmërinë e lartë që ka sot çdo shqiptar kur dëgjon politikanët të flasin, se cila do të jetë natyra e re e qeverisjes sonë pas 23 qershorit. Njerëzit e dinë mirë se çfarë është dhe çfarë bën qeveria aktuale dhe ata e kanë krejt të qartë se sot qeverisen mbrapsht. Ata e dinë se premtimet nuk janë mbajtur. Ata e dinë se korrupsioni është shtrirë ende shumë më thellë. Ata e dinë po ashtu se Kryeministri do të bëjë e do të thotë çdo gjë sado të habitshme (s’dua të them të paturpshme) për të qëndruar në pushtet. Dhe ata e dinë se e gjitha kjo është keq për ta, është keq për familjet e tyre. Po është keq edhe për Shqipërinë, për pozicionin tonë në sytë e botës, për imazhin tonë. Por, sot ata duan të dëgjojnë më shumë për atë që do të bëjmë ne. Si do ta bëjmë dhe pse duhet të na besojnë se do ta bëjmë me të vërtet.
Le të fillojmë!
Fjala e Kryetarit Edi Rama në hapje të Konferencës Kombëtare për Programin për një Rilindje Shqiptare
22 Shkurt 2013
February 19, 2013
Votë në 23 qershor për të çliruar ekonominë
Sot dua të bëj një prezantim të shkurtër lidhur me të dhënat e disponueshme fiskale të qeverisë për vitin 2012. Besoj se mbi bazën e këtyre të dhënave, kemi mundësi të bëjmë një vlerësim të pakontestueshëm së paku për burimin.
Fakti është që të hyrat tatimore, sot janë më të ulëta se sa ato të vitit 2011. Por analiza më e hollësishme e këtyre të hyrave sipas taksave të ndryshme na jep mundësinë që të vlerësojmë çfarë ka ndodhur në të vërtetë me të ardhurat në këtë vend dhe cila është gjendja e ekonomisë reale. Këtë analizë vendosëm ta bëjmë duke u bazuar tek të hyrat nga taksat direkte, të hyrat nga tatim fitimi i korporatave, nga tatimi mbi të ardhurat personale të individëve dhe nga taksa e biznesit të vogël. Është e udhës që të mbajmë parasysh se jemi në kushtet që gjatë vitit 2012 nuk ka ndodhur asnjë ndryshim në regjimin tatimor përkatës. Ashtu si kundër jemi në kushtet kur mund të bëjmë një analizë krahasuese nga viti kur ka hyrë në fuqi taksa e sheshtë dhe deri në vitin 2012 kur disponojmë të dhënat fiskale të qeverisë. Kjo na mundëson që të shikojmë se çfarë ka ndodhur realisht me korporatat, me të ardhurat personale dhe me të ardhurat nga biznesi i vogël.
Ky është grafiku i parë, që ilustron të hyrat tatimore, të shtetit, nga tatim fitimi i korporatave. Në kolonat blu kemi të hyrat nominale, pra sa kanë fituar korporatat vit pas viti dhe e shikoni vetë që në vitin 2012 të hyrat e shtetit nga tatim fitimi i korporatave janë më të ulëtat; që do të thotë që fitimi i regjistruar i korporatave është më i ulëti në të gjitha vitet që ne marrim në analizë. Kurba e kuqe tregon ndërkohë raportin e të hyrave të shtetit nga tatim fitimi kundrejt GDP-së për të njëjtën periudhë. Që do të thotë se çfarë korporatat kanë përfituar nga “rritja ekonomike e vendit”, rritje ekonomike e presupozuar, do të thosha. Është fare e qartë që kurba është në rënie të vazhdueshme dhe këtu lind një pikëpyetje shumë therëse. Lind një pikëpyetje therëse përsa i përket administrimit, që do të thotë se pretendimi se futja e taksës së sheshtë e ka bërë transparent dhe më të efektshëm administrimin nuk qëndron dhe se një pjesë e ekonomisë është zhytur në informalitet, pra, i është shtuar pellgut të informalitetit, në rast se besojmë tek shifra e dhënë e rritjes ekonomike, ose çka ne jemi shumë të prirur që të besojmë, shifra e rritjes ekonomike është e manipuluar.
Vazhdojmë me individët. Këtu jemi tek tatimi mbi të ardhurat personale. Pra, taksa e sheshtë 10% që paguhet nga çdo njeri i punësuar dhe i regjistruar si i tillë në këtë vend, në sektorin publik, apo në sektorin privat. Kolona blu tregon se në pikëpamje të të hyrave të shtetit asgjë nuk ka ndryshuar. Jemi në ato kushte 2011-2012, ndërkohë që në kurbën e përfitimit të individëve dhe të familjeve nga rritja ekonomike kemi një rënie drastike. Që do të thotë që pavarësisht nga tatim fitimi i mbledhur në të hyrat që prezumon të njëjtin fitim për individët, fuqia ekonomike e çdo individi dhe e çdo familje është në rënie. Mos harrojmë që flasim për të njëjtin regjim tatimor. Kushtet janë të njëjta, është e njëjta taksë që paguhet në të gjitha këto vite, 10%.
Vazhdojmë tek e treta që është ende më dramatike. Ky është biznesi i vogël. Shikoni se ku është katandisur biznesi i vogël në vitin 2012 dhe se ku ka rënë e ardhura nga ato që biznesi i vogël jep për shtetin. Ndërkohë që kurba e përfitueshmërisë së biznesit të vogël nga rrija ekonomike, shikojeni se ku ka ngecur. Praktikisht, sot biznesi i vogël është në gjendje kolapsi. Ka dhe dy shifra shumë domethënëse, që janë dy shifra që flasin më shumë se çdo fjalim që mund të bëjmë për gjendjen ekonomike dhe për trendin e rritjes sipas qeverisë dhe të rënies sipas nesh. Kthehemi edhe njëherë tek korporatat. Kjo rënie e përkthyer në fitim dhe llogari e fitimit të korporatave tregon se në vitin 2012 korporatat, pra të gjitha kompanitë e biznesit të madh kanë fituar 280 milionë dollarë më pak, në raport me vitin 2011. Kthehemi tek biznesi i vogël, xhiroja e biznesit të vogël në vitin 2012 në raport me vitin 2011 është pakësuar, pra ka rënë me 285 milionë dollarë. Edhe rënia e fitimit të korporatave me 280 milionë edhe rënia e xhiros së biznesit të vogël me 285 milionë përbëjnë së bashku një shumë që peshon si një vlerë e munguar në arkën e shtetit nga tatim fitimi.
Në këtë situatë është e kot të diskutojmë nëse jemi apo s’jemi në një periudhë rënieje, madje rrënimi të vazhdueshëm të ekonomisë reale. Koncepti i krizës dhe koncepti i recesionit si koncepte që përdoren sot në botën e zhvilluar, janë shumë relative për ekonominë shqiptare. Kjo është më shumë sesa një krizë ciklike, ky është më shumë sesa një recesion që vjen si pasojë e një krize ciklike. Kjo është pasqyra e shterimit të një modeli ekonomik zhvillimi, që sigurisht, përkon edhe me dallgët e një krize ekonomike që është më e gjerë sesa territori i Shqipërisë. Në këto kushte unë dëshiroj që të përsëris se minimalisht është e domosdoshme që të ndërmerret ai hap që ne kemi kaq kohë që e themi, t’i hiqet taksa biznesit të vogël, sepse çdo muaj që kalon përkon me një rrënim që për shumë biznese të vogla, që janë praktikisht mjedise familjare vetëpunësimi, të jetë një rrënim i pakthyeshëm.
E, nëse llogarisim rënien e xhiros me 285 milionw dollarë në një vit tek biznesi i vogël, kombinuar me rritjen e borxheve apo të numrit të njerëzve në librat e veresies në dyqanet e ushqimoreve, që shkojnë rreth 150 milionw euro, jemi në kushtet kur ekonomia reale është në një gropë thithëse që e tërheq gjithmonë e më poshtë. Pa llogaritur këtu pjesën tjetër shumë të rëndë të ekonomisë informale, të ekonomisë së kriminalizuar, të ekonomisë së tërhequr në labirintin e evazionit fiskal dhe të ekonomisë së mbërthyer nga kthetrat e një korrupsioni që po heq gjithmonë e më shumë të ardhura nga xhepat e publikut dhe po shton zonën gri dhe zonën e zezë të ekonomisë.
Në fund fare konkluzioni është;
Jemi në kushtet kur të dyja opsionet janë më shumë sesa alarmante për ekonominë sot dhe për çka na pret nesër, në rast se nuk ndërhyhet menjëherë. Ose opsioni që ekonomia po informalizohet siç e thashë për shkak të kriminalizimit të saj dhe të një korrupsioni që është tërësisht i kontrolluar përmes shtetit të kapur ose shifrat e rritjes ekonomike aq sa janë edhe ato janë të manipuluara dhe nuk përkojnë me realitetin. Ose të dyja bashkë, pak njëra dhe pak tjetra, që bëjnë një gjë shumë të madhe si problem që është përpara nesh për t’u zgjidhur. E rëndësishme është që duhet ndërhyrë sa më parë. Ndërhyrja e parë themelore është ndërhyrja që duhet të bëjë çdo qytetar, qoftë konsumator, qoftë i vetëpunësuar në një biznes të vogël, qoftë pronar i një kompanie, qoftë një rrogëtar i shtetit me votën e vet për të frenuar këtë rrënim të mëtejshëm teposhtë në ekonominë e kthyer në një gropë thithëse për të gjithë. E pastaj duhet të vazhdojë falë ndërhyrjes me votë të të gjithë qytetarëve në 23 qershor një operacion jashtëzakonisht kompleks për të riçliruar energjitë e bllokuara të ekonomisë në kushtet e mungesës së konkurrencës, në kushtet e kriminalizimit të ekonomisë, në kushtet e korrupsionit dhe të një bashkëpunimi kriminal mes një grupi në pushtet dhe një grupi në ekonomi. Një sinergji e cila nuk mund të prodhojë për vendin asgjë tjetër përveçse të tilla pamje të një rrënimi që ka tendencë vetëm të vazhdojë në qoftë se kjo sinergji nuk shpërbëhet në 23 qershor.
Votë në 23 për të çliruar ekonominë
Sot dua të bëj një prezantim të shkurtër lidhur me të dhënat e disponueshme fiskale të qeverisë për vitin 2012. Besoj se mbi bazën e këtyre të dhënave, kemi mundësi të bëjmë një vlerësim të pakontestueshëm së paku për burimin.
Fakti është që të hyrat tatimore, sot janë më të ulëta se sa ato të vitit 2011. Por analiza më e hollësishme e këtyre të hyrave sipas taksave të ndryshme na jep mundësinë që të vlerësojmë çfarë ka ndodhur në të vërtetë me të ardhurat në këtë vend dhe cila është gjendja e ekonomisë reale. Këtë analizë vendosëm ta bëjmë duke u bazuar tek të hyrat nga taksat direkte, të hyrat nga tatim fitimi i korporatave, nga tatimi mbi të ardhurat personale të individëve dhe nga taksa e biznesit të vogël. Është e udhës që të mbajmë parasysh se jemi në kushtet që gjatë vitit 2012 nuk ka ndodhur asnjë ndryshim në regjimin tatimor përkatës. Ashtu si kundër jemi në kushtet kur mund të bëjmë një analizë krahasuese nga viti kur ka hyrë në fuqi taksa e sheshtë dhe deri në vitin 2012 kur disponojmë të dhënat fiskale të qeverisë. Kjo na mundëson që të shikojmë se çfarë ka ndodhur realisht me korporatat, me të ardhurat personale dhe me të ardhurat nga biznesi i vogël.
Ky është grafiku i parë, që ilustron të hyrat tatimore, të shtetit, nga tatim fitimi i korporatave. Në kolonat blu kemi të hyrat nominale, pra sa kanë fituar korporatat vit pas viti dhe e shikoni vetë që në vitin 2012 të hyrat e shtetit nga tatim fitimi i korporatave janë më të ulëtat; që do të thotë që fitimi i regjistruar i korporatave është më i ulëti në të gjitha vitet që ne marrim në analizë. Kurba e kuqe tregon ndërkohë raportin e të hyrave të shtetit nga tatim fitimi kundrejt GDP-së për të njëjtën periudhë. Që do të thotë se çfarë korporatat kanë përfituar nga “rritja ekonomike e vendit”, rritje ekonomike e presupozuar, do të thosha. Është fare e qartë që kurba është në rënie të vazhdueshme dhe këtu lind një pikëpyetje shumë therëse. Lind një pikëpyetje therëse përsa i përket administrimit, që do të thotë se pretendimi se futja e taksës së sheshtë e ka bërë transparent dhe më të efektshëm administrimin nuk qëndron dhe se një pjesë e ekonomisë është zhytur në informalitet, pra, i është shtuar pellgut të informalitetit, në rast se besojmë tek shifra e dhënë e rritjes ekonomike, ose çka ne jemi shumë të prirur që të besojmë, shifra e rritjes ekonomike është e manipuluar.
Vazhdojmë me individët. Këtu jemi tek tatimi mbi të ardhurat personale. Pra, taksa e sheshtë 10% që paguhet nga çdo njeri i punësuar dhe i regjistruar si i tillë në këtë vend, në sektorin publik, apo në sektorin privat. Kolona blu tregon se në pikëpamje të të hyrave të shtetit asgjë nuk ka ndryshuar. Jemi në ato kushte 2011-2012, ndërkohë që në kurbën e përfitimit të individëve dhe të familjeve nga rritja ekonomike kemi një rënie drastike. Që do të thotë që pavarësisht nga tatim fitimi i mbledhur në të hyrat që prezumon të njëjtin fitim për individët, fuqia ekonomike e çdo individi dhe e çdo familje është në rënie. Mos harrojmë që flasim për të njëjtin regjim tatimor. Kushtet janë të njëjta, është e njëjta taksë që paguhet në të gjitha këto vite, 10%.
Vazhdojmë tek e treta që është ende më dramatike. Ky është biznesi i vogël. Shikoni se ku është katandisur biznesi i vogël në vitin 2012 dhe se ku ka rënë e ardhura nga ato që biznesi i vogël jep për shtetin. Ndërkohë që kurba e përfitueshmërisë së biznesit të vogël nga rrija ekonomike, shikojeni se ku ka ngecur. Praktikisht, sot biznesi i vogël është në gjendje kolapsi. Ka dhe dy shifra shumë domethënëse, që janë dy shifra që flasin më shumë se çdo fjalim që mund të bëjmë për gjendjen ekonomike dhe për trendin e rritjes sipas qeverisë dhe të rënies sipas nesh. Kthehemi edhe njëherë tek korporatat. Kjo rënie e përkthyer në fitim dhe llogari e fitimit të korporatave tregon se në vitin 2012 korporatat, pra të gjitha kompanitë e biznesit të madh kanë fituar 280 milionë dollarë më pak, në raport me vitin 2011. Kthehemi tek biznesi i vogël, xhiroja e biznesit të vogël në vitin 2012 në raport me vitin 2011 është pakësuar, pra ka rënë me 285 milionë dollarë. Edhe rënia e fitimit të korporatave me 280 milionë edhe rënia e xhiros së biznesit të vogël me 285 milionë përbëjnë së bashku një shumë që peshon si një vlerë e munguar në arkën e shtetit nga tatim fitimi.
Në këtë situatë është e kot të diskutojmë nëse jemi apo s’jemi në një periudhë rënieje, madje rrënimi të vazhdueshëm të ekonomisë reale. Koncepti i krizës dhe koncepti i recesionit si koncepte që përdoren sot në botën e zhvilluar, janë shumë relative për ekonominë shqiptare. Kjo është më shumë sesa një krizë ciklike, ky është më shumë sesa një recesion që vjen si pasojë e një krize ciklike. Kjo është pasqyra e shterimit të një modeli ekonomik zhvillimi, që sigurisht, përkon edhe me dallgët e një krize ekonomike që është më e gjerë sesa territori i Shqipërisë. Në këto kushte unë dëshiroj që të përsëris se minimalisht është e domosdoshme që të ndërmerret ai hap që ne kemi kaq kohë që e themi, t’i hiqet taksa biznesit të vogël, sepse çdo muaj që kalon përkon me një rrënim që për shumë biznese të vogla, që janë praktikisht mjedise familjare vetëpunësimi, të jetë një rrënim i pakthyeshëm.
E, nëse llogarisim rënien e xhiros me 285 milionw dollarë në një vit tek biznesi i vogël, kombinuar me rritjen e borxheve apo të numrit të njerëzve në librat e veresies në dyqanet e ushqimoreve, që shkojnë rreth 150 milionw euro, jemi në kushtet kur ekonomia reale është në një gropë thithëse që e tërheq gjithmonë e më poshtë. Pa llogaritur këtu pjesën tjetër shumë të rëndë të ekonomisë informale, të ekonomisë së kriminalizuar, të ekonomisë së tërhequr në labirintin e evazionit fiskal dhe të ekonomisë së mbërthyer nga kthetrat e një korrupsioni që po heq gjithmonë e më shumë të ardhura nga xhepat e publikut dhe po shton zonën gri dhe zonën e zezë të ekonomisë.
Në fund fare konkluzioni është;
Jemi në kushtet kur të dyja opsionet janë më shumë sesa alarmante për ekonominë sot dhe për çka na pret nesër, në rast se nuk ndërhyhet menjëherë. Ose opsioni që ekonomia po informalizohet siç e thashë për shkak të kriminalizimit të saj dhe të një korrupsioni që është tërësisht i kontrolluar përmes shtetit të kapur ose shifrat e rritjes ekonomike aq sa janë edhe ato janë të manipuluara dhe nuk përkojnë me realitetin. Ose të dyja bashkë, pak njëra dhe pak tjetra, që bëjnë një gjë shumë të madhe si problem që është përpara nesh për t’u zgjidhur. E rëndësishme është që duhet ndërhyrë sa më parë. Ndërhyrja e parë themelore është ndërhyrja që duhet të bëjë çdo qytetar, qoftë konsumator, qoftë i vetëpunësuar në një biznes të vogël, qoftë pronar i një kompanie, qoftë një rrogëtar i shtetit me votën e vet për të frenuar këtë rrënim të mëtejshëm teposhtë në ekonominë e kthyer në një gropë thithëse për të gjithë. E pastaj duhet të vazhdojë falë ndërhyrjes me votë të të gjithë qytetarëve në 23 qershor një operacion jashtëzakonisht kompleks për të riçliruar energjitë e bllokuara të ekonomisë në kushtet e mungesës së konkurrencës, në kushtet e kriminalizimit të ekonomisë, në kushtet e korrupsionit dhe të një bashkëpunimi kriminal mes një grupi në pushtet dhe një grupi në ekonomi. Një sinergji e cila nuk mund të prodhojë për vendin asgjë tjetër përveçse të tilla pamje të një rrënimi që ka tendencë vetëm të vazhdojë në qoftë se kjo sinergji nuk shpërbëhet në 23 qershor.
February 15, 2013
Për ta shëndetësia mall, për ne e mirë publike
F jala e kreut të PS, Edi Rama, në tryezën e zhvilluar me mjekë e specialistë, në kuadër të javës së shëndetësisë:
Unë, besoj, se është e ndershme që ta themi qartë se problemet më shëndetësinë nuk kanë nisur në vitin 2005. Në qoftë se meritat e para 2005-ës do ishin kaq të mëdha, sot nuk do kishim një sistem komplet të falimentuar, që është një fakt. Falimentimi besoj se lidhet me zgjedhjen e bërë dhe këtu është e domosdoshme që ne të këmbëngulim pa asnjë ekuivok dhe pa asnjë kompleks. Zgjedhja e bërë në vitin 1995, një zgjedhje e pranuar dhe asnjëherë e kontestuar qysh prej atij viti, për t’ju referuar një sistemi që në këndvështrimin tim nuk ka lidhje as me mjedisin psikosocial të Shqipërisë, as me kulturën e Shqipërisë, është e gabuar.
Sot duhet të përballemi me domosdoshmërinë e ndryshimit rrënjësor të këtij sistemi duke e braktisur sistemin e kontributeve. Skema e kontributeve ka dështuar. Në totalin e asaj që shqiptarët shpenzojnë për shëndetin përgjatë një viti janë vetëm 7% paratë që vijnë nga kontributet. Mbi 60% janë paratë që vijnë nga xhepi dhe pastaj pjesa tjetër vjen nga taksat e përgjithshme.
Llogaria nuk duhet bërë midis kontributeve dhe taksimit të përgjithshëm. Llogaria duhet bërë midis kontributeve dhe asaj që shpenzojnë të gjithë shqiptarët. Sepse përveç asaj që fut shteti nga taksimi i përgjithshëm kemi dhe atë që fusin njerëzit nga xhepi. E, njerëzit që japin nga xhepi janë ata që janë në situatë më të vështirë në përgjithësi.
Sot është dita për të folur edhe për disa atakime që i janë bërë projektit tonë. Ata që sot janë në qeveri e mbrojnë sistemin e falimentuar të kontributeve. Është pjesë e një mendësie në rrugën e një rrënimi të përgjithshëm. Megjithatë, ajo që vlen është që debati të adresohet tek çështjet. E para, që unë dua ta rinënvizoj, që ne na dallon qartësisht nga ata është se; për ata shëndeti është mall që blihet, për ne është e mirë publike që duhet ta gëzojmë të gjithë, pavarësisht nëse kanë mundësi të paguajnë ose jo për shëndetin.
Në momentin që një shoqërie i imponohet vizioni i shëndetit si mall që blihet dhe kush nuk mund ta blejë duhet të lusë Zotin që të mos sëmuret, praktikisht kemi të bëjmë me pranimin e një pabarazie sistemike dhe të një padrejtësie që godet të gjithë ata që janë më të dobët. Ne nuk e mendojmë kështu! Po çfarë thonë ata? Ata thonë: “Po si ka mundësi që sistemi shëndetësor të jetë falas? Kështu kthehemi 22 vjet më pas.” Ajo që ne duam të bëjmë nuk është të kthehemi 22 vjet pas, por të shkojmë 22 vjet më tutje drejt së ardhmes. Mirë është që ata që e qeverisin Shqipërinë dhe që marrin përsipër ta mbrojnë situatën apo sistemin e sotëm shëndetësor, të mos referohen në të shkuarën. Unë kam kënaqësi të kem këtu doktorin që më kishte në dorë dy ditë më parë në Burrel dhe kur po më bënte serumin, ndërkohë ndjeva gjithë trupin që po më ngrinte dhe e pyeta: “Po kur është bërë ky spital? Në vitet ’50. Po a ka pasur ngrohje? Ka pasur deri vonë, më tha. Dhe aty u hodh një reanimator e tha: E fiku Fatosi dhe e ngriu Saliu dhe tani jemi siç e shikon.” Ndaj mos i bëjmë krahasimet me të kaluarën në këtë aspekt, sepse nuk është se dalim shumë mirë.
Shërbimi shëndetësor që ne themi nuk është se nuk kushton. Kushton, por në qoftë se një pjesë e rëndësishme e popullsisë nuk e blen dot, dikush duhet ta blejë, sepse është një e mirë publike, që çdokush ka të drejtën ta gëzojë, në një shoqëri demokratike dhe në një vend që ne duam ta qytetërojmë në kuptimin e plotë të fjalës në shekullin e XXI në mes të Europës. Atëherë këtë do ta blejmë ne dhe do ta ofrojmë falas. Do ta blejë shteti dhe përmes Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, një institucion që ne do ta themelojmë do ta ofrojmë për qytetarët. Pra, blerësi i shërbimit do të jetë Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Shqipërisë. Cdo shqiptar nëpërmjet këtij shërbimi do të marrë kujdesin shëndetësor që i takon. Për sa i përket asaj se a mund të ketë apo jo shëndetësi falas, sepse këtu bëhet i gjithë debati, po sot a nuk është falas për fëmijët? A nuk është falas për invalidët? Të paktën e pranuar ligjërisht. Ja pra që paska shëndetësi falas. Dhe për kë? Për ata që nuk kanë mundësi ta blejnë. Po ata që nuk kanë mundësi ta blejnë në këndvështrimin tonë dhe në botëkuptimin tonë për jetën dhe për shoqërinë nuk janë vetëm fëmijët dhe invalidët, por janë dhe ata që realisht nuk kanë mundësi ta blejnë. Janë të papunët, por janë dhe pensionistët, për të cilët na thuhet se e kanë shërbimin, ndërkohë që jo më larg se pardje, në të njëjtin vend për të cilin fola pak më parë, ku pata rastin ta provoj vetë në vetë të parë se në qoftë se sot ka ende kujdes shëndetësor që nuk lidhet më me sistemin, por lidhet vetëm me mjekë dhe infermierë që janë të pasionuar dhe të dedikuar, ne takuam një çift pensionistësh, ku burri s’kishte të dy duart dhe ku e shoqja shpjegoi se nuk gëzonte absolutisht asnjë lloj mbulimi të posaçëm. Kur ne themi se shërbimet publike duam t’i japim sipas nevojës dhe jo sipas xhepit, e kemi vendosur vijën ndarëse shumë të qartë. Ata thonë sipas xhepit, ne themi sipas nevojës. Shqiptarët duhet të zgjedhin.
Por, ama është e udhës që çdo shqiptar pavarësisht bindjeve, pavarësisht simpative, pavarësisht besimit ose mosbesimit, të reflektojë jo mbi partinë që do zgjedhë, po të reflektojë mbi çfarë sistemi shëndetësor do nesër. Është e sigurt që mund të zgjedhë partinë që do, po nuk do ketë sistemin shëndetësor që do. Kjo është e sigurt, në rast se zgjedh partinë që sot është në pushtet. Ashtu sikundër mund të zgjedhë partinë që nuk do, por do ketë sistemin shëndetësor që do.
Çdo shqiptar që nuk ka punë dhe që për këtë arsye nuk është i siguruar, dhe që për këtë arsye kur shkon në spital sepse gabimisht sëmuret, duhet të paguajë, sepse përndryshe nuk e merr dot shërbimin. Kemi pasur një kundërshti tjetër dhe kundërshtia është se të papunët u siguruakan, invalidët u siguruakan, fëmijët u siguruakan dhe pensionistët u siguruakan. Pra, kjo që ne diskutojmë është e gjitha një ngrehinë në hava. Por, shifrat jo tonat, shifrat zyrtare janë kokëforta në ndihmë të argumentit. Të siguruarit janë as më shumë e as më pak po 470 mijë individë. Atëherë në Shqipëri paska 2 milion e 370 mijë të tjerë, duke bërë zbritjen nga regjistrimi i fundit i popullsisë, që gjendet në Shqipëri që qenkan fëmijë, të moshuar, të papunë apo invalidë. Mirë është që të tërhiqen nga ky argument sepse ju del një llogari shumë e mbrapshtë për ta tek të papunët pastaj. Del që ne jemi gabim kur themi që ka 1 milionë të papunë se dalin më shumë. E, si dalin, shumë thjesht;
Janë të regjistruar të moshuarit 440 mijë. Janë të regjistruar fëmijët 180 mijë parashkollorë. Janë të regjistruar nxënësit 490 mijë. Janë të regjistruar studentët 120 mijë, edhe ata në moshë universiteti që akoma nuk kanë përfituar nga shqyerja totale e universiteteve që janë 40 mijë. Në fund invalidët që janë 70 mijë dhe totali është 1 milion e 340 mijë. Që do të thotë që na dalin mbi 1 milionë të papunë, me llogarinë që bëjnë ata.
Fakti është që jo vetëm të papunët nuk janë të siguruar, por sot nuk mund më të regjistrohesh si i papunë. Sepse shkon në zyrën e punës dhe nuk ta japin dokumentacionin e nevojshëm që t’i të përfitosh nga sigurimet shëndetësore. Për dy arsye; E para, sepse fshehin papunësinë dhe e dyta, sepse nuk mbulojnë dot shpenzimet e shëndetit tënd. Nga ana tjetër dalin e thonë që ne e kemi zgjidhur këtë dilemë dhe ia kemi besuar tregut këtë punë. Njësoj si me taksën e sheshtë që marrin nëpër gojë edhe të ndjerin Ronald Regan, që kush e di sa herë do të rrotullohej në varr sikur të merrte lajmin në atë botën tjetër, që merret këtu si shembull i taksës së sheshtë, që as e ka pasur ndonjëherë Amerika taksën e sheshtë dhe as që ka qenë ndonjëherë Regani promotor i ndonjë takse të sheshtë. Dhe çfarë thonë? Thonë shikoni sistemin farmaceutik, dikur s’kishte fare ilaçe dhe tani është i mbushur me barna. Patjetër që tregu ka të gjitha avantazhet, që e bëjnë këtë sistem që në kemi zgjedhur në vitin ‘90 një sistem mundësish. Por tregu nuk është përgjigjja e gjithçkaje. Sepse pyetja është: ilaçe ka, po a kanë të gjithë ilaçe? Përgjigja është: Jo! Pa llogaritur që ka një taksë për sëmundjen që është TVSH e shtuar mbi ilaçet. U shtua se medemek do ulej çmimi. Çmimi nuk u ul. Kjo bëri që dhe për ilaçet pensionistët apo shumë njerëz të varfër të bëjnë si për ushqimin e përditshëm ta marrin me listë në farmaci. Pa hyrë në cilësinë. Aty ne kemi marrë një angazhim shumë të qartë. Po nuk është ky momenti për ta diskutuar.
Thonë tani kjo që propozon Partia Socialiste na qenka një centralizim i ri. Po ku ka centralizim më absurd se sa ISKSH-ja ta përcaktojë numrin e punonjësve të çdo spitali?! Ndërkohë që ajo që duam të bëjmë ne është që spitalet t’i kthejmë në ndërmarrje spitalore duke i dhënë një autonomi të plotë trupës dhe duke ia besuar menaxhimin bordeve në spitale në mënyrë që mjekët dhe gjithë personeli mjekësor dhe ndihmës të mos varen nga tekat, nevojat apo vendimet absurde të ministrisë ose të kryeministrit. Por ta përcaktojnë vetë se si ta shpenzojnë sa më me efektivitet atë buxhet që ka. Ne besojmë, dhe unë besoj, që jo me kaq, por me më pak ne mund të bëjmë më mirë. Jo vetëm në shëndetësi, po në çdo sektor. Ndërkohë që padyshim mund të rrisim volumin e parave që shpenzohen në shërbim të publikut duke ulur volumin e parave që sot i rrëmben lumi i korrupsionit. Më tutje si ka mundësi që thonë që kjo që propozon Partia Socialiste është centralizim ndërkohë që jo më larg se sa më pak se një muaj Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një udhëzim që ministria do t’i blejë barnat për çdo nevojë të sistemit publik të shëndetësisë. Kemi raste të kësaj natyre kur flasim për paratë që në një spital për shembull ka shërbim privat për sigurinë dhe 12 roje që i paguan me lekët e shtetit. Kuptohet këta të shtetit bëjnë muhabet me ata të sigurisë, dhe ndërkohë çfarë është për t’u vjedhur vazhdon vidhet. Secili ka punën e vet. Ndërkohë që në një spital tjetër që nuk ka asnjë metër katror gjelbërim dhe asnjë pemë janë shtuar në strukturë 15 lulishtarë. Nuk di se çfarë mbjellin, ku e mbjellin, si e vadisin nuk di ku e korrin. Me siguri bëjnë ata mbjelljet, korrjet, vaditjet e tyre, por jo në spital. Paguhen me lekët e shtetit. Ose për shembull një spital rajonal në Fier blen shërbime në qendra shëndetësore jo publike. Me çfarë të drejte dhe ku i gjejnë paratë?! Ja pra janë këto paratë që mungojnë. Mungojnë për çarçafë, mungojnë për batanije, mungojnë për jastëkë, po numëroj të gjitha gjërat që mungonin pardje doktor, mungojnë për ngrohje, mungojnë për ftohje, por nuk mungojnë asnjëherë, përkundrazi dalin e teprojnë për të rritur numrin e rrogëtarëve apo për të rritur volumin e abuzimeve brenda për brenda sistemit. Këtu nuk është çështje njerëzish. Unë kam besuar gjithmonë dhe besoj gjithmonë e më shumë se korrupsioni nuk është çështje personash, është çështje sistemi. Bini në Shqipëri në sistemin tonë shëndetësor menaxherët më të ndershëm nga Danimarka, lërini dy muaj, në qoftë se mbas dy muajsh i gjeni po aq të pastër sa ç’i futët atëherë bie argumenti i provuar shkencërisht se korrupsioni është alternativë brenda një sistemi të falimentuar. Aty ku sistemi funksionon korrupsioni vetvetiu tërhiqet mbrapsht. Aty ku sistemi nuk funksionon korrupsioni është alternativë. Është e thjeshtë. Sigurisht që ne shohim që ka shumë burime. 150 milionë euro fluturojnë brenda vitit nga xhepat e publikut në xhepa individësh vetëm nga tregu i hidrokarbureve minimalisht. Ose përshembull bëhet një reklamë qeveritare për të lajmëruar për shpronësime dhe reklama që duhet të lajmërojë 12 mijë persona kushton 2 herë më shumë sesa t’i lajmërosh personat kokë më kokë me DHL dhe t’ia u çosh njoftimin jo ku banojnë, po aty ku kanë kokën, e me radhë.
Një shifër që s’është e jona. Është e agjencie të specializuar amerikane që tregon se 1.3 miliardë dollarë kanë fluturuar nga Shqipëria fare në rrugët e krimit të organizuar, të korrupsionit, të evazionit dhe ju mungojnë shqiptarëve në shërbime.
Nga ana tjetër sistemi ynë nuk është absolutisht një fantazmë e së shkuarës, por është një zgjedhje e të sotmes që vende pas vendesh po e bëjnë. Është sistemi i mbulimit universal me kujdes shëndetësor dhe me mbrojte shëndetësore, pra, i parandalimit dhe i kurimit. Bazohet jo në financimin nga kontributet, po në financimin nga taksimi i përgjithshëm. Pra, është ajo që thashë që në fillim shëndetësia kushton. Po kushton, nuk është falas. Por ofrohet falas kur konceptohet si një e mirë publike dhe për ta ofruar falas dikush duhet ta blejë dhe e blen shteti dhe jua ofron individëve. Nuk ju thotë individëve po nuk e bleve dot të lutem mos u sëmur se po u sëmure je drejtpërdrejtë me Zotin, por jo me mjekun dhe me sistemin shëndetësor publik.
Sot vendet nordike, Britania e Madhe, Italia, Irlanda, Spanja, Portugalia, Greqia janë në këtë sistem. Sigurisht, Gjermania dhe Franca jo, por mos harrojmë se nga vijmë, mos harrojmë se për çfarë mjedisi bëhet fjalë. Ndërkohë që gjithë kjo pjesa tjetër mesdhetare është në sistemin e bazuar tek taksimi i përgjithshëm.
Do të doja të nënvizoja që programi ynë nuk është vetëm një pjesë kur flasim për shëndetësinë, apo kur flasim për arsimin, por është i gjithi një mozaik pjesësh që janë të lidhura me njëra tjetrën. Është një vizion i bazuar në vlerat dhe parimet e socialistëve dhe socialdemokratëve të këtij shekulli. Është një mekanizëm ku pjesët janë të lidhura me njëra tjetrën. Flasim për mbulimin universal në sistemin e shëndetësisë, flasim për taksimin e ndershëm në sistemin e taksimit, flasim për një politikë të re për sportin, por të gjitha këto janë të lidhura me njëra tjetrën.
Një politikë e re për sportin duke riorganizuar gjithë sistemin e aktivitetit sportiv që nga kopshti deri në universitet, për ne është një politikë gjithashtu për shëndetin e cila do të ulë kostot dhe do të rrisë fuqinë parandaluese të shoqërisë ndaj sëmundjeve.
Nëse flasim për një sistem taksimi të ndershëm, flasim sigurisht për një ulje të barrës së kontributeve në krahun e atyre që fitojnë më pak dhe për një rritje të barrës kontributeve në krahun e atyre që fitojnë më shumë. Por nga kjo fitojnë të dyja palët. Nuk përfitojnë vetëm ata që fitojnë më pak, por edhe ata që fitojnë më shumë, sepse rritet potenciali i shoqërisë si shoqëri konsumatore, pra është i gjithi një program i lidhur si pjesët e një mozaiku.
Në fund fare do doja t’i falenderoja nga zemra ata që kanë kontribuar dhe po vazhdojnë të kontribuojnë që ne ta detajojmë dhe ta përsosim programin tonë, për ta çuar deri në fund si një projekt qeverisës jo si një pamflet elektoral. Dua të falenderoj në mënyrë të posaçme disa të pranishëm këtu, mjekët e spitalit ushtarak që më bënë një guidë spektakolare për nga profesionalizmi, por dhe nga kurajoja qytetare. Jam informuar që kanë paguar një çmim për këtë sepse nuk kanë përfituar nga asnjë nga gradat e reja që janë dhënë këto ditët e fundit. Por sa më pak të graduar para 23 qershorit, aq më të nderuar në 23 qershor. Është shumë e rëndësishme që jeni këtu për t’ju treguar të tjerëve se në fund të fundit liria dhe dinjiteti i personit vlen më shumë se shumë çka tjetër dhe në fund të fundit, ka një çmim, po nuk është aq i lartë sa të jetë papërballueshëm. I pashë të gjithë një nga një pasi ma thanë këtë gjë ata mjekë dhe më duken akoma më në formë se ç’i pashë para disa ditësh. Sepse këtë të mirë ka lufta e ideve dhe pozicioneve që kur të përfshin të rrit adrenalinën.
Të bindur që unë jam shumë i vetëdijshëm që reforma e sistemit shëndetësor që ne propozojmë është gjëja më radikale, më e vështirë në gjithë paketën e ndryshimit që ne e kemi planifikuar “Për një Rilindje Shqiptare”. Po pse është e tillë, e para, vlen dhe e dyta, është njësoj si një terapi për të ndërmarrë përpjekjen e fundit dhe atë më të rëndësishmen për ta ngritur në këmbë një të sëmurë që po të ikën nga duart. Praktikisht, sot sistemi shëndetësor është një i sëmurë që ka ikur nga duart. Kjo është një terapi e domosdoshme për ta ngritur atë në këmbë me të gjitha vështirësitë që kjo sjell dhe me të gjithë pjesën e hidhur që kjo përmban. Ama jam i bindur që në fund të mandatit tonë të parë, ata që në 23 qershor do të na votojnë për të përqafuar vizionin tonë se shëndeti nuk është mall që blihet dhe kur s’ke lekë se blen dot prandaj vdis ose shit shtëpinë që të gjesh doktor, po është një e mirë publike që duhet ta gëzojnë të gjithë, do të shohin se vota e tyre ka vlejtur dhe se spitalet e Shqipërisë dhe mjekët që do të kenë përballë do të jenë një tjetër panoramë nga kjo e sotmja, me këtë sistem që ne do të ndërtojmë.
15 Shkurt 2013
Kjo qeveri atdhe të vetëm ka pushtetin
Askush në botën e sotme, as në vendet pa pluralizëm, nuk e fyen popullin e vet si kjo qeveri. Gënjeshtra, shpifje, premtime, gënjeshtra, shpifje, premtime! Përditë, përditë, përditë.
Por kjo e sotmja, ishte një fyerje e veçantë. Sot u keqpërdor përvjetori i pavarësisë së Kosovës. U improvizua një seancë parlamenti jashtë radhe, jashtë date, jashtë kanaleve të komunikimit institucional me grupet parlamentare. Medemek për pavarësinë e Kosovës. Por në fakt jo. Në të vërtetë vetëm për të larë gojën. Duke bërë një rrugë e dy punë. Një gjoja seancë të posaçme për përvjetorin e ditës historike nga njëra anë dhe një sulm kundër opozitës, Partisë Socialiste, nga ana tjetër. Sulm i ftohtë, në dukje i heshtur, por shumë tinzar. Për mungesën! E vërteta është se as seanca jubilare nuk u organizua kurrë dhe as Partia Socialiste nuk u lajmërua ndonjëherë.
5-vjetori i shpalljes së Kosovës shtet më vete, i lirë dhe i pavarur, kërkonte jo një seancë të improvizuar kërcimi nacionalist për kryeministrin e kryetaren e Kuvendit, po një seancë jubilare të mirëfilltë, me organizim e të ftuar krejt specialë dhe sigurisht me përgatitjet e duhura në kohën e duhur.
Por kjo nuk ndodhi dhe s’mund të ndodhte. Sepse Kosova, shqiptaria apo vetë kombi i ndarë në pesë shtete, siç kuturiset ta përshkruajë prej ankthit elektoral kombin shqiptar kryeministri në ikje, për këta që qeverisin sot Shqipërinë janë vetëm material elektoral.
Edhe kjo seancë tinëzare parlamentare në emër të Kosovës, por në fakt vetëm për llogari të pushtetit të këtushëm të përfshirë në ethet elektorale, s’ishte tjetër veçse një inskenim gjasmepatriotik me një qëllim mirëfilli elektoral.
Këta janë dashnorët e mëdhenj të shqiptarisë që kemi në qeveri!
Këta janë atdhetarët e mëdhenj që përvëlohen për Kosovën deri në pikën sa për të marrë ca vota më shumë në Shqipëri, janë gati të hedhin në erë urat e ngritura gjatë paqes në rajon me retorikat e tyre prej turbofolku nacionalist.
Këta janë pra, ata që me shqiptarët e Kosovës luajnë luftash për bashkim, duke inskenuar dhe shfaqje si e sotmja që na turpërojnë si komb për qeverinë që kemi në Tiranë, ndërkohë që në luftën e tyre mizerabël për pushtet në vite furnizuan me naftë Milosheviçin, kur tërë bota e mbante të rrethuar si armik të njerëzimit dhe të shqiptarëve; persekutuan në Tiranë liderët e UÇK-së dhe e sulmuan publikisht me shpifje UÇK-në si bandë narkotrafikantësh marksiste-leniniste; ndërsa sot provokojnë miqtë e partnerët tanë të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, me një retorikë perverse që kërcënon të hedhë në erë, të gjitha arritjet madhështore të shqiptarëve si komb në këto vite falë mbështetjes së këtyre miqve e partnerëve.
Sot u përdor akti solemn i pavarësimit të Kosovës për të sulmuar tinëzisht opozitën parlamentare në Shqipëri, përmes organizimit të një seance blic ku opozita nuk u lajmërua në rrugët e zakonshme institucionale të komunikimit.
Sot një ngjarje e jashtëzakonshme e historisë bashkëkohore të të gjithë shqiptarëve, u shpërdorua ultësisht për propagandë antiopozitare. Njerëz të dëshpëruar bëjnë veprime të dëshpëruara. Janë të dëshpëruar sepse e ndjejnë, e shohin, e prekin se janë ditët e fundit të tyre në pushtet. Por veprimet e tyre të dëshpëruara kërcënojnë shumë më tepër sesa atë çka pak kërcënohet në një betejë normale demokratike për ndryshimin e qeverisë. Po kërcënojnë tanimë arritje të përbashkëta historike të shqiptarëve në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.
Sot opozitës shqiptare i lind e drejta ta akuzojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë, si një grusht personash që atdhe të vetëm kanë pushtetin dhe kryetarin e kësaj qeverie, si një personazh që ilustron me të gjithë qenien dhe retorikën e tij atë shprehjen e famshme të qytetërimit demokratik: Retorika nacionaliste është streha e fundit e zullumqarëve!
February 12, 2013
Qeveria kopjime të çoroditura, koha të largohet (2)
Fjala e Kryetarit Edi Rama në tryezën “Gratë dhe shëndetësia”
Të gjitha konstatimet janë legjitime edhe të gjitha ambiciet janë legjitime, por rreziku është që të gjitha të mbeten dëshira dhe asgjë të mos ndodhë, përkundrazi të vazhdojë rrënimi i pandalshëm i sistemit tonë shëndetësor, në qoftë se nuk bëhet një ndërhyrje në themel. Ndërhyrja në themel presupozon që ne fillimisht të pranojmë se sistemi aktual ka falimentuar. Çfarë do të thotë kjo?! Konkretisht në vitin 1995 Shqipëria adoptoi sistemin që kemi sot, sistemin e bazuar në kontributet e qytetarëve, thënë ndryshe sigurimet shëndetësore. Koha tregoi që ky sistem nuk është i përshtatshëm minimalisht për vendin tonë, për kushtet ekonomike, po mbase edhe për traditën dhe kulturën e vendit tonë. Sistemi i kontributeve sot shumë vite më pas arrin të financojë 7% të shpenzimeve të përgjithshme, që gjatë një viti bëhen për shëndetin në Shqipëri. Vetëm 7%! Ndërkohë që rreth 60% e shpenzimeve për shëndetin në Shqipëri sot përballohen drejtpërdrejtë nga xhepi, kryesisht nga xhepi i atyre që janë të pasiguruar. Që do të thotë pjesa më e dobët ekonomikisht dhe pjesa më e prekur nga problemet sociale në këtë vend. Diferenca midis 60% të atyre që kujdesin shëndetësor e marrin me lekë, në dorë dhe nën dorë, dhe e 7% që vjen si kontributi i atyre, që për shkak se janë në punë mund të sigurohen, paguhet nga taksat e përgjithshme. Pra, në një total që kapërcen 800 milionë dollarë që harxhohen në Shqipëri gjatë një viti për kujdes shëndetësor, vetëm 7% vijnë nga sigurimet. Pra, skema e ndërtuar mbi parimin që gjithkush të sigurohet dhe pastaj shërbimi i jepet gjithkujt që ka nevojë ka falimentuar.
Sot ne kemi ardhur në një moment kur dallimi midis nesh dhe atyre që qeverisin është dramatik, sepse është një dallim në filozofi dhe në botëkuptim për shoqërinë që duam. Për ta shëndetësia është mall dhe si çdo mall duhet të blihet. Për ne është e mirë publike dhe si çdo e mirë publike duhet të financohet. Janë dy rrugë tërësisht të ndryshme ku njerëzit duhet të zgjedhin se cilën nga rrugët parapëlqejnë për të ardhmen. Një rrugë që thotë që në fillim: “po nuk pate lekë mos u sëmur, se po u sëmure nuk kujdesemi dot për ty”. Dhe një rrugë tjetër që thotë që në fillim që “ne kujdesemi edhe për ata që s’kanë lekë në qoftë se kanë nevojë për kujdes shëndetësor”. Janë dy botë komplet të kundërta.
Bota që është sot në fuqi është bota ku ata të cilët trokasin në derën e mjekut dhe janë të papunë, e për këtë arsye janë të pasiguruar, e kanë të domosdoshme që për të bërë që mjeku të hapë gojën të paguajnë lekë. Sot praktikisht paguajnë pesë herë më shumë sesa pak vite më parë lekë në dorë zyrtarisht, pa llogaritur paratë që paguhen nën dorë. Historitë e njerëzve të varfër që duhet të shkojnë në spital dhe që për të paguar shërbimin duhet të shesin gjithçka kanë janë të panumërta.
Vetëm para pak ditësh ne ishim në Spitalin Ushtarak dhe takuam një grua e cila ishte në prag të shitjes së shtëpisë për të vazhduar të përballonte shpenzimet për kurimin e të shoqit, për një pjesë të kurës që ishte jashtëzakonisht e shtrenjtë. Një ditë më pas ne ishim në një qendër shëndetësore shumë pranë Tiranës ku takuam dy prindër të cilët jetonin në fshat, jetojnë në fshat, djalin e kanë me leucemi dhe për një flakon të kurës intensive që djali ka nevojë duhet të paguajë 1 mijë euro. Gjë që qartësisht e ka rrënuar ekonomikisht dhe i ka futur në një borxh që për ta shlyer, në momentin që flasim, duhet të shesin shtëpinë. Këto janë histori të panumërta dhe janë histori që lidhen me një sistem të shërbimit shëndetësor i cili është tërësisht i padrejtë. Ne duam ta ndryshojmë këtë sistem. Ndryshimi i këtij sistemi do të thotë që skema e financimit të shërbimit shëndetësor të mos bazohet më tek sigurimet. Por të bazohet tek parimi që shëndeti është një e mirë publike dhe jo mall. Për këtë të mirë publike garant duhet të bëhet shteti. Që do të thotë se ne do ta blejmë shërbimin në emër të të gjithë atyre që nuk e blejnë dot dhe do ta ofrojmë për të gjithë ata që kanë nevojë. Do të ndërtojmë një sistem të ri që do të quhet Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i bazuar në parimin e sistemit shëndetësor universal. Askush nuk do të privohet nga shërbimi për shkak se është i pasiguruar ngaqë është i papunë.
Padyshim që kjo është një sfidë jo e lehtë dhe gjëja më e lehtë është kjo që ndodh sot, që të bësh sikur njerëzit nuk ekzistojnë. T’ua u njohësh ekzistencën vetëm atyre që e provojnë që ekzistojnë sepse kanë lekë. Kjo për ne është barbari! Ne jemi të bindur që një shoqëri si e jona në mes të Europës, në shekullin e 21, duhet ta marrë përsipër barrën e solidaritetit me të gjithë ata që e kanë të pamundur që të kujdesen për veten apo fëmijët ose më të moshuarit në shtëpinë e tyre, sepse janë të papunë, janë të varfër dhe s’kanë asnjë mundësi tjetër përveçse të hyjnë në borxhe që bëhen të pashlyeshme kur një sëmundje u troket në derë.
Ka disa kohë që qeveria ka vënë një taksë për sëmundjen, e tillë është TVSH-ja tek ilaçet. Ne e kundërshtuam. Na u tha që vendosja e TVSH-së do të sillte ulje të çmimit të ilaçeve. E vërteta është që kjo nuk ndodhi. Përkundrazi si të gjithë mallrat e tjera edhe ilaçet u shtrenjtuan. Kush e paguan taksën e sëmundjes? Përsëri e paguajnë më shtrenjtë ata që kanë më pak. Të mos harrojmë që sistemi i sotëm i bazuar mbi kontributet është një sistem që si në të gjithë piramidën e kontributeve në këtë vend kush ka më shumë paguan më pak dhe kush ka më pak paguan më shumë. Sepse dhe ata që për shkak se janë të punësuar paguajnë kontribute, në hierarki janë brenda të njëjtit sistem. Pra, kush ka një rrogë më të ulët paguan më shumë kontribut për shëndetin, kush ka të ardhurat më të larta paguan më pak dhe kush është miliarder paguan pak fare, në sistemin e sotëm.
Ky është një sistem i falimentuar edhe në raport me parandalimin në tërësi. Nga ato që u thanë këtu, një emërues i përbashkët është se ne nuk kemi sot gjëkundi një strukturë kombëtare publike shtetërore që mendon dhe punon për të parandaluar sëmundjet dhe për të parandaluar pasojat e lindjeve të vështira në kushte si ato të nënave të reja që janë të pasiguruara për shkak të papunësisë dhe të varfërisë. Ashtu sikundër s’kemi një sistem që të parandalojë tumoret, posaçërisht te gratë, numri i të cilave shkon gjithnjë në rritje. Bëhet propagandë, bëhen ca shfaqe dhe ca aktivitete propagandistike dhe gjithçka mbetet aty. Por procesi i parandalimit nuk është ky. Madje procesin e parandalimit ne e shikojmë të lidhur jo vetëm me sistemin shëndetësor, por edhe me sportin. Me sportin në shkollë si një sistem që duhet rindërtuar për të ulur shpenzimet nesër me kujdesin shëndetësor. Është e provuar botërisht që në ato vende ku sistemi i sportit është i organizuar kostoja e shtetit për kujdesin shëndetësor është më e ulët. Ashtu sikundër e kundërta është e vërtetë. Aty ku sport kombëtar është llotaria dhe bixhozi sigurisht edhe parandalueshmëria e sëmundjeve është shumë herë më e vogël për të mos thënë inegzistente. E nga njëra anë janë sëmundjet sociale dhe nga ana tjetër janë sëmundjet fizike që gjejnë organizma shumë vulnerabël.
Në programin tonë puna e ekspertëve ka bërë që të jemi optimistë për të realizuar kontrollin mjekësor bazë falas dhe të përvitshëm për grupmosha të përcaktuara brenda vitit 2014. Sigurisht, që është një shpenzim, por që është një shpenzim që pastaj ul të tjera shpenzime shumë më të larta që vijnë pas për shkak të paparandalueshmërisë organike që ka sistemi aktual.
Ne jemi absolutisht të bindur dhe të angazhuar konkretisht që të ndërtojmë një sistem të kontrollit falas vjetor për grupmoshat e konsideruara në risk të grave për sëmundjet tumorale. Numri i këtyre sëmundjeve rritet çdo vit dhe rastet shtohen çdo vit. Ne besojmë që nëqoftëse ndërtohet një sistem parandalimi edhe shpenzimet më pas do të jenë më të arsyeshme, pa llogaritur që shumë raste mund të parandalohen. Programi i parandalimit sigurisht ka një kosto dhe ne jemi gati që ta përballojmë këtë kosto.
Janë një sërë gjërash që nuk bëhen sot, të gjitha kushtojnë, asgjë nuk bëhet pa kosto, por ama ajo që i duhet një qeverie, një vendi, një populli, një shoqërie është pikërisht që të marrë vendime për cilat janë gjërat më të rëndësishme, cilat janë gjërat më prioritare, cilat janë gjërat që ndikojnë drejtpërdrejtë për ta bërë më të mirë cilësinë e jetës së qytetarëve, pavarësisht se mund të mos jenë gjëra, që ndikojnë drejtpërdrejt në votat që do marrësh pas katër vjetësh. Nevoja për t’u zgjedhur dhe ankthi i rizgjedhjes me çdo kusht bën që cilësia e vendimmarrjes në shumë raste të cenohet në dëm të gjërave, që mund të mos jenë shumë të dukshme për të avantazhuar gjërat që janë të dukshme. Se nuk është e dukshme sa raste sëmundjesh mund të parandalohen, se ato nuk janë më raste që konstatohen, por sigurisht që është shumë herë më fisnike dhe më e vlefshme për shoqërinë, një qeverisje, e cila fokusohet tek ky aspekt, pavarësisht se nuk është një aspekt elektoralisht i vlefshëm. Ky është vetëm një rast, por po të marrim zinxhirin e problemeve që ka sot Shqipëria është një zinxhir problemesh që mbahet lidhur hallkë pas hallke, nga fakti se janë probleme elektoralisht pa peshën e mjaftueshme, për ankthin e atyre që duan të zgjidhen me çdo kusht herën tjetër. Është një lloj ankthi, që e sjell pushteti dhe që mund të lexohet sot shumë lehtë, në një sërë masash të qeverisë, që janë thjesht copëza të marra jashtë kontekstit nga programi ynë, si për shembull heqja e taksës për ata që fitojnë deri në 300 mijë lekë. Ndërkohë që është e pakuptueshme pse ata që fitojnë 310 mijë lekë duhet të vazhdojnë të paguajnë më shumë se sa ata që fitojnë 3 milionë e 100 mijë lekë. Apo siç është bërja me ngut vendimit për ta kthyer Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në një universitet mjekësor, duke bërë në fakt një martesë të pamundur mes një vizioni komplet të papërshtatshëm për sistemin e arsimit të lartë dhe një vizioni komplet të papërshtatshëm për atë që duhet të jetë një universitet mjekësor i kësaj natyre në QSUT “Nënë Tereza”.
Do të doja të nënvizoja diçka që ne e kemi thënë me kohë. Është një tezë tanimë historike do të thosha, për ne, për angazhimin tonë, që ka të bëjë me nënat e reja që janë të pasiguruara. Në vitin 2009 ne ishim të vendosur, që ta kapërcenim këtë problem duke ia ngarkuar shoqërisë këtë barrë, sepse nuk është fjala vetëm për një person, por është fjala për dy persona. Nuk është fjala vetëm për nënën, por është fjala edhe për fëmijën. Faktikisht, eksperienca 20-vjeçare e këtij sistemi shëndetësor çfarë ka sjellë? Ka sjellë që në 20 vjet, më shumë se gjysma e lindjeve janë lindje të pasiguruara. Më shumë se gjysma e fëmijëve që kanë lindur, kanë lindur nga nëna të pasiguruara. Por kur ke thënë kaq, ke thënë shumë pak. Mjafton të shtosh se nënat e pasiguruara janë gra në kushte sociale dramatike, sepse janë të papuna, sepse jetojnë kryesisht në zona shumë të vështira, periferike apo rurale, për të kuptuar se në çfarë qytetërimi barbar na mban lidhur ky sistem shëndetësor i falimentuar, që nuk rrënon thjesht cilësinë e kujdesit shëndetësor, nuk rrënon thjesht vetveten, po rrënon moralin shoqëror, duke krijuar një marrëdhënie absolutisht unike në Europë, si dhe të rrallë në botë, mes shërbimit publik shëndetësor dhe qytetarit. Janë raste sot të rralla në botë, jo më në Europë, rastet që mund t’i gjesh përditë në mjediset ku shteti shqiptar bën sikur kujdeset përmes shërbimit publik për qytetarët e vet në sistemin shëndetësor.
Të kesh 1/7 e popullsisë të siguruar dhe gjithë pjesën tjetër në mëshirën e fatit në raport me shëndetin dhe të vazhdosh të këmbëngulësh tek i njëjti sistem, do të thotë të kesh marrë përsipër t’i konsiderosh inekzistentë njerëzit e tu, në raport me nevojën bazë për të jetuar të pakërcënuar nga sëmundjet dhe nga pasojat e sëmundjeve. Ky është thelbi i këtij problemi madhor, me të cilin ne duhet të përballemi.
Edhe njëherë dua ta theksoj. Nuk është një sfidë e lehtë. Nuk mjafton të thuash kaq sa po themi, që sistemi ka falimentuar dhe duhet një sistem i ri. Është absolutisht sfida e sfidave për katër vitet e ardhshme, për të vendosur bazat e një sistemi shëndetësor universal që të krijojë kushtet për t’ju përgjigjur nevojave të të gjithë shqiptarëve, të punësuar apo të papunë, të siguruar apo të pasiguruar, nga veriu apo nga jugu, nga qyteti apo nga fshati, nëse kanë kushërinj mjekë, apo s’kanë asnjë kushëri infermier.
Është një sfidë shumë e madhe dhe për këtë arsye edhe në të gjithë projektin e reformave që ne duam të ndërmarrim kjo është reforma më radikale nga të gjitha. Është një përmbysje 100% e asaj që kemi sot. Ndërkohë që në të gjitha rastet e tjera nuk kemi të bëjmë me përmbysje 100%, por kemi të bëjmë vetëm me transformime për të rimëkëmbur sisteme që janë në rrënim të vazhdueshëm, këtu kemi të bëjmë me përmbysje 100%. Është një sfidë që ka dy rrugë. Ose duhet të mbyllim sytë dhe të bëjmë sikur nuk ekziston, siç bëjnë këta që qeverisin, ose të realizojmë ndryshimin radikal. Sepse në fakt problemi nuk ka filluar kur kanë ardhur këta në qeveri. Problemi ka filluar ditën kur është vendosur ky sistem në vitin 1995, pa marrë fare parasysh a janë shqiptarët në gjendje ekonomikisht ta financojnë këtë sistem. Sot ky sistem është në pikëpyetje edhe në vende shumë të mëdha dhe arsyeja pse vende shumë më të zhvilluara se ne po e braktisin këtë sistem, për të shkuar në sistemin universal bazuar te Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, është pikërisht sepse fuqia financuese e individëve është e pamjaftueshme për të përballuar nevojën për cilësi të shërbimit. Në vitin 1995 ai u vendos pa analizuar nëse për Shqipërinë, e dalë nga një histori krejt tjetër kulturalisht, skema e sigurimeve shëndetësore është një skemë e arsyeshme. Unë jam i bindur që jo. Historia e këtyre viteve tregon që jo. Është ekonomikisht e papërballueshme, është kulturalisht e paarsyeshme. E, për shkak se sistemi nuk arrin dot të ofrojë atë për të cilin është ngritur, shërbimin, sado pak cilësor, atëherë në mes ka hyrë një korrupsion i pa matshëm, për nga dëmet që bën, jo thjesht për nga paratë që thith.
Po të shikojmë në tërësi hartën e gjithë mekanizmit të sistemit, sot kemi shumë qendra shëndetësore, të cilat janë vetëm mbeturina arkeologjike të qendrave shëndetësore të para dhjetë, tetë, apo gjashtë vjetëve. Ndërkohë që para dhjetë, tetë, apo gjashtë vjetësh kishin autoambulancë, kishin shërbim 24 orë, kishin një sërë instrumentesh që sot nuk i kanë. Sot janë vetëm një godinë me një mjek dhe me disa gra të veshura me përparëse të bardha brenda dhe me disa objekte për t’u shtrirë, që i quajnë krevate, pak gabimisht. Po çfarë ka ndodhur, sepse në fakt po të shikosh financimin, ai nuk ka rënë. Nuk është rritur, por nuk ka rënë. Pra, ajo që shteti paguan me taksat e qytetarëve për infrastrukturën shëndetësore është po ajo. Atëherë pse ka rënë shërbimi? Pse të paktën nuk është në atë nivel që ishte? Sepse ka hyrë brenda korrupsioni, i cili merr një pjesë të konsiderueshme të parasë që shkon për të pasur atë sistem që nuk ishte aspak për t’u mbajtur mend, por ishte më i mirë se ky që është sot. Për të gjitha këto arsye duhet të ndryshojë 100% sistemi që kemi. Ne duam të hyjmë në këtë betejë, që është beteja më e vështirë, por është dhe beteja më fisnike. Është beteja më fisnike, që një shoqëri duhet të bëjë përmes një qeverie të zgjedhur me vullnet të lirë dhe është një betejë, që nuk sjell vota në katër vitet e para, por sjell krenarinë se me qeverinë e zgjedhur me vullnet të lirë nga populli, popullit iu kthye e drejta për t’u shërbyer për shëndetin në çdo rast, kur ka lekë, apo kur s’ka lekë. Sepse ne e konsiderojmë barbari që t’u thuhet njerëzve: “Po s’patët lekë mos u sëmurni”. E konsiderojmë të drejtën elementare të çdo njeriu në Shqipëri, të drejtën për të marrë kujdes shëndetësor edhe kur nuk ka lekë. Ky është dallimi!
12 Shkurt 2013
Qeveria kopjime të çoroditura, koha të largohet
Së pari, dua të trajtoj një çështje, që lidhet me programin tonë dhe me përpjekjen e qeverisë për të mikluar elektoratin, duke marrë copëza të shkëputura nga programi ynë.
Ne e kemi nënvizuar prej kohësh domosdoshmërinë e heqjes së TVSH-së për makineritë. Është refuzuar për një kohë të gjatë, si një refuzim absurd, dhe pastaj është marrë dhe është adaptuar nga qeveria, por jo në masën e propozuar prej nesh dhe vetëm për një kategori të caktuar. Në mars të vitit 2012 ne kemi çuar në parlament projektin për heqjen e TVSH-së për inputet bujqësore dhe për një reduktim të konsiderueshëm të TVSH-së për një pjesë të tyre. Besoj që të gjithë i kanë parasysh reagimet absurde të qeverisë dhe të personalisht kryeministrit, i cili e akuzoi më shumë se njëherë Partinë Socialiste dhe grupin parlamentar për këtë propozim, duke pretenduar se ky propozim vinte nga kanalet e interesave të monopoleve. Praktikisht, sot jemi në kushtet kur vetë kryeministri e ka deklamuar me të madhe adoptimin e kësaj mase.
Në programin tonë është shkruar qysh në 5 nëntor të vitit 2011, një pjesë e planit tonë për transformimin rrënjësor të sistemit të arsimimit në shëndetësi, dhe e zeza mbi të bardhë, është paralajmëruar kthimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në një Universitet Mjekësor. Para pak ditësh, “mot à mo” kjo është marrë dhe është deklamuar si një çuarje përpara e projektit të qeverisë.
Kulmi në këtë vazhdë kopjimesh të çoroditura dhe pa asnjë koherencë, as me programin e tyre dhe as me programin tonë, ka qenë deklamimi i masës për të hequr taksën apo, saktësisht, tatimin e fitimit mbi të ardhurat personale, për të gjithë ata që fitojnë deri në 300 mijë lekë. Praktikisht, me këtë propozim kryeministri ka rrëzuar vetë të gjithë ngrehinën e propagandës kundër sistemit të taksimit të ndershëm dhe vlerës së progresivitetit në boshtin e këtij sistemi.
Askush nuk di ta shpjegojë se pse ata, të cilët fitojnë deri në 300 mijë lekë s’duhet të paguajë taksë dhe ata që fitojnë pak më shumë se 300 mijë lekë duhet të paguajnë përsëri më shumë sesa ata të tjerët që fitojnë më shumë. Konkretisht, pse ata që fitojnë deri në 300 mijë lekë nuk do të paguajnë asnjë taksë dhe policët e terrenit të cilët fitojnë 300 e pak mijë lekë do të vazhdojnë të paguajnë më shumë se sa Ministri i Brendshëm. Kjo është pjesë e gjithë përpjekjes së dëshpëruar për t’i rezistuar një procesi, që në fakt është i parezistueshëm, i komunikimit të programit tonë, i vlerave dhe përmbajtjes të programit tonë që prek çdo ditë vëmendjen e më shumë njerëzve dhe që krijon çdo ditë e më shumë mbështetje tek njerëzit.
Besoj që përderisa qeverisë i ka ardhur koha, që të mbijetojë duke marrë dhe adoptuar arbitrarisht copëza të projektit tonë, kjo është mënyra më kuptimplotë për t’u thënë shqiptarëve se i ka ardhur koha të largohet. Ne që kemi idetë, kemi padyshim dhe aftësinë e duhur për t’i realizuar këto ide.
Ndërkohë, besoj se, është me shumë rëndësi, që të gjithë ata që janë të vetëpunësuar, konkretisht të gjithë shqiptarët që sot jetojnë me një biznes të vogël, të marrin vesh se pas 25 marsit kur hyn në fuqi ligji i ri për sigurimet shëndetësore do të paguajnë kokë më kokë 70 dollarë më shumë. Çdo i vetëpunësuar në Shqipëri, pas 25 marsit do të ketë një rritje taksash me 70 dollarë dhe në total 5 milionë dollarë të tjera do t’i merren biznesit të vogël drejtpërdrejt nga xhepi, në formën e një ngarkese të re me taksa. Ne përsërisim pareshtur domosdoshmërinë që taksa e biznesit të vogël të hiqet. Është një masë e pamjaftueshme për ta çliruar biznesin e vogël nga litari mbytës i falimentimit dhe i një mbijetese jashtëzakonisht të vështirë, por është një masë e domosdoshme për t’i dhënë pak frymëmarrje në rrugën e rimëkëmbjes dhe të rilindjes së sipërmarrjes së vogël në Shqipëri. Që sot, biznesi i vogël i gjendur në një presion taksash të papërballueshëm dhe përballë një fuqie blerëse në rënie të përmuajshme, të ngarkohet edhe me një taksë tjetër, që praktikisht është taksa e çdo të vetpunësuari me biznes të vogël, nuk ka lajm më të keq për ekonominë familjare në Shqipëri. Nuk ka shembull më kuptimplotë të krizës së papërballueshme nga ana e kësaj qeverie.
Së dyti, do doja që të ndaja bashkë me ju, në kuadrin e rrugës së programit disa elementë themelorë të projektit tonë për shëndetësinë. Jemi në ditët kur po diskutojmë projektin. Është një projekt shumë ambicioz dhe praktikisht paralajmëron reformën më radikale në paketën e reformave, që ne duam të ndërmarrim për të rilindur Shqipërinë. Por, është shumë e rëndësishme që të kuptohet nga njerëzit se çfarë qëndron në themel të kësaj reforme. Qëndron, në fakt, dallimi themelor mes nesh dhe atyre që sot qeverisin Shqipërinë dhe që janë përgjegjës për gjendjen skandaloze të sistemit shqiptar të shëndetësisë;
Për ata shëndetësia, kujdesi shëndetësor, është mall, për ne është e mirë publike.
Ata thonë: Po s’pate lekë mos u sëmur se shteti nuk kujdeset dot për ty.
Ne themi: Kush sëmuret do të marrë kujdesin e shtetit edhe po s’pati lekë.
Për ne shëndetësia, kujdesi shëndetësor, është e mirë publike. Ndaj ne jemi të vendosur që ta mundësojmë për qytetarët shqiptarë sipas nevojës dhe të mos e kushtëzojmë me xhepin. Sistemi aktual pas 18 viteve ekzistencë falimentare ka treguar se kushtëzimi me xhepin i kujdesit shëndetësor nuk bën asgjë tjetër veçse degradon sistemin dhe ul vijimësisht cilësinë e kujdesit shëndetësor.
Sot praktikisht, mbas 18 vjetësh, përveç asaj që shihet nga të gjithë dhe që preket nga të gjithë në kontaktin më të parë me sistemin aktual shëndetësor, bilanci është dramatik dhe është qartësisht një bilanc falimentar. Kontribuuesit e drejtpërdrejtë për sistemin janë sot më pak se 500 mijë persona, për të qenë të saktë afro 470 mijë deri në fund të vitit 2011, pra 1/7 e popullsisë shqiptare. Nga ana tjetër sot shpenzimet për kujdesin shëndetësor në Shqipëri, në më shumë se gjysmën e tyre nuk vijnë si pagesë nga kontributet, por vijnë si pagesë e drejtpërdrejtë nga xhepi. Dhe kur flasim për xhepin, flasim në këtë rast për xhepin e atyre që nuk paguajnë dot kontributet, sepse janë të papunë. Ndërkohë që kontributet mbulojnë vetëm 7% të shpenzimeve, pjesa e mbetur mbulohet nga taksat e përgjithshme. Sot për më tepër kemi një sistem kontributiv që është regresiv. Pra, kush fiton më shumë paguan më pak si përqindje e kontributit ndaj të ardhurave. Thelbi i vizionit tonë është që t’ua mundësojmë falas përfituesve dhe ta blejmë ne, ta blejë shteti nga ofruesit e shërbimeve. Me fjalë më të thjeshta; Është e qartë, shërbimi shëndetësor ka një kosto, por kjo kosto duhet përballuar nga shoqëria edhe për ata, të cilët e kanë të pamundur t’a përballojnë vetë. Sigurisht, për të gjithë atë pjesë të shërbimit që qendrat shëndetësore publike nuk arrijnë dot të përgjigjen në mënyrë adekuate janë qendrat shëndetësore jo publike, që do të duhet të përgjigjen, duke iu adresuar ne atyre. Sot ne kemi mbi 1 milionë vetë që janë të pasiguruar. Arsyeja është sepse janë të papunë dhe e kanë të pamundur që të sigurohen për shëndetin e tyre. Ne duhet t’ju sigurojmë kujdesin shëndetësor, megjithëse janë të papunë e për këtë arsye janë të pasiguruar.
Skema duhet të ndryshojë rrënjësisht. Sistemi i kontributeve ka falimentuar. Mbajtja në këmbë e tij është vetëm një mbajtje në agoni e një trupi të degraduar dhe pa shpresë për t’u ringjallur. Ne do të themelojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor, një institucion i cili do t’ua ofrojë këtë shërbim të gjithë qytetarëve pa dallim, ndërkohë që vetë shërbimin do ta blejë shteti. Sfida e krijimit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor është një sfidë jashtëzakonisht e madhe, nuk është aspak e thjeshtë, por është e vetmja rrugë për t’i ikur rrënimit të vazhdueshëm të sistemit kontributiv. Sipas projektit tonë, dhe është një plan i mirëmenduar, ne do të mundësojmë një kontroll mjekësor bazë falas dhe të përvitshëm për grupmosha të caktuara brenda vitit 2014. Ashtu sikundër do të mundësojmë kontrollet vjetore falas për grupmoshat e rrezikuara të grave nga sëmundjet tumorale, që janë rritur shumë ndjeshëm në vitet e fundit, në radhë të parë për shkak të pamundësisë dhe të çorodisë organizative në drejtim të parandalimit.
Së fundi, ne duhet me patjetër që ta bëjmë shumë të qartë se mjekësia jo publike është një realitet dhe është një realitet i mirëpritur për sa kohë që ofron kujdes shëndetësor. Por duhet një politikë e hapur, e drejtë dhe transparente rregullatore, që synon në radhë të parë kujdesin shëndetësor, si një e mirë publike, jo si mall. Sepse nuk është normale, madje është skandaloze, që shërbimet e dializës, për shembull, është një nga shembujt se ka edhe të tjerë, të bëhen sot në Shqipëri vetëm në dy klinika private dhe të paguhen në këtë vend tre herë më shumë se sa mesatarja e Bashkimit Europian.
Fjala në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste
12 Shkurt 2013
February 7, 2013
Gjyqi i 21 janarit s’ka nisur ende
Nuk jam aspak i befasuar.
Kohët e fundit pyetjes së partnerëve ndërkombëtarë për ecurinë e procesit të 21 janarit, i kam dhënë të njëjtën përgjigje:
Së shpejti vrasësit do të shpallen të pafajshëm.
Sepse pafajësia e vrasësve i duhet më shumë edhe se vetë atyre, urdhëruesit të vrasjeve. Atij që i ka kthyer gjykatat në plotone ekzekutimi për drejtësinë kur duhet të vjedhë zgjedhjet, të pafajësojë vjedhjet apo të luftojë familjarisht opozitën.
Pafajësia e vrasësve i duhet më shumë edhe se vetë atyre, kryeministrit që i ka kthyer gjykatësit në gardistë togëzinj të cilët me urdhër nga lart, e pushkatojnë në publik drejtësinë njësoj siç pushkatoi garda katër dëshmorët e 21 janarit.
Pafajësia e vrasësve i duhet më shumë edhe se vetë atyre, atij që pas 23 qershorit do të jetë thjesht dhe vetëm kryetari i Partisë Demokratike, përballë një procesi publik transparence për shkeljet e Kushtetutës e të ligjit, me pasojë humbje jetësh, grabitje pasurish kombëtare apo zhdukje parash të popullit shqiptar. Sot s’pati gjykim, por vetëm një përqafim mes vrasësve të drejtësisë dhe vrasësve të katër protestuesve që kërkonin një atdhe të drejtë.
E nëse vrasjet e 21 janarit ishin krimi më barbar shtetëror në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste, vendimi i sotëm i gjykatës është vrasja më barbare e drejtësisë në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste. Por kjo e sotmja është edhe shprehja më kuptimplotë e rrënimit moral e politik, të pushtetit që urdhëruesi i vrasjeve të 21 janari do ta mbajë edhe pak muaj, falë votave të vjedhura në vitin 2009.
Familjet e katër dëshmorëve të 21 janarit nuk duhet ta vuajnë sot, përfundimin vrastar të një gjyqi që në të vërtetë nuk ka filluar akoma.
I siguroj të katër familjet, siç siguroj edhe vrasësit e sotëm të drejtësisë, se 21 janari është nga ato ngjarje që historia mëson se as nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht dhe as nuk mbyllen duke u gjykuar padrejtësisht.
Çdo shqiptar që dëshiron të jetojë në këtë vend, të punojë në këtë vend, të rrisë fëmijët në këtë vend, duhet të ndjehet sot ende më shumë në borxh me atdheun e sakatuar nga padrejtësitë.
Ky i sotmi s’është një turp për ata vrasës të drejtësisë që togën e zezë e kanë marrë peshqesh pikërisht se nuk kanë asnjë turp.
Ky është një turp për çdo shqiptar që nuk e ndien se çfarë turpi është për shoqërinë tonë pafajësimi i sotëm i vrasësve dhe që nuk e kupton akoma as sot se kjo Shqipëri e padrejtë s’është më faji i vrasësve të drejtësisë, por përgjegjësia jonë historike si shoqëri. Një përgjegjësi që duhet ta ndjejë çdo prind në këtë vend, çdo e re dhe i ri në këtë vend, çdo qytetar i këtij vendi nga veriu në jug, në qytet apo në fshat, socialist apo demokrat, që ka respekt për veten dhe për ato vlera e parime që ka marrë si trashëgim nga edukata e familjes së tij.
Ndërsa çdo mik e partner ndërkombëtar i Shqipërisë, që u angazhua në mbështetje të drejtësisë për 21 janarin, SHBA dhe Bashkimi Europian në radhë të parë, besoj se sot ndjehet më afër realitetit të një shteti ku ligjet s’vlejnë asnjë grosh, ndërsa kultura e pandëshkueshmërisë bën ligjin.
Edi Rama's Blog
- Edi Rama's profile
- 7 followers

